Godo: Është dyfishuar numri i dhurimeve të gjakut
“Krahasuar me një vit më parë është dyfishuar numri i dhuruesve vullnetarë të gjakut”. Këtë deklaratë bëri dje Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Vetëm pak ditë, nga 14 qershori, që njihet si dita ndërkombëtare e dhurimit të gjakut, ajo bëri apel për më shumë sensibilizim. Sa i përket importit, Godo sqaroi se pavarësisht se ekziston baza ligjore, gjaku nga vendet e tjera është marrë vetëm në raste emergjencash. Ndërkohë Ministrja e Shëndetësisë thotë se do të rriten fushatat e dhurimit të gjakut gjatë verës, pasi sipas saj ky është një sezon i vështirë për të siguruar rezerva, për operacionet apo aksidentet që në këtë periudhë janë në rritje. “Në sezonin e verës, kur dhe operacionet e planifikuara kanë një rënie, gjithmonë gjendemi pak të zbuluar dhe për këtë arsye institucionet kryesore që merren me këtë marrin masa”, vijoi Godo. Në këtë periudhë aksidentet janë të shpeshta, ndërsa dhuruesit të paktë. Në një vit kryhen rreth 20 mijë dhurime, ndërsa nevojat e spitaleve janë për 35 mijë qese gjak. Sipas specialistëve, në vendin tonë aktualisht ka rreth 500 të sëmurë kronikë, që kanë nevoja të vazhdueshme për gjak. Ndërkohë që po sipas këtyre autoriteteve, qytetarët duhet të dhurojnë një herë në dy muaj gjak.