E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nga varfëria, gjendet i vetëvarur emigranti i sapokthyer nga Greqia

 

LUSHNJE - Varfëria çon një emigrant të sapokthyer nga Greqia në aktin fatal të vetëvarjes. Fatmir Halili, baba i katër fëmijëve i dha fund jetës mëngjesin e djeshëm, ndërkohë që ishte kthyer nga shteti fqinj vetëm një javë më parë. I detyruar nga papunësia për shkak të efekteve të krizës ekonomike, 38-vjeçari u kthye në shtëpinë e tij, në fshatin Rrapëz të komunës Kolonjë. Por varfëria ekstreme në familje rëndoi gjendjen psikologjike, duke kaluar deri në depresion të rëndë. Në kushte të tilla, Halili u vetëvar në një pemë në oborrin e shtëpisë së tij. Burimet policore bënë të ditur se familjarët e Halilit kanë pohuar se mbrëmjen e fundit në banesë, 38-vjeçari kishte shfaqur shenja depresive. Ai ishte mjaft i shqetësuar ndaj kishte kaluar në dhomën e tij të gjumit për të fjetur. E shoqja nuk e ka ndier kur ai është ngritur nga krevati. Siç duket ai ka pritur derisa është siguruar se ajo flinte e më pas është çuar dhe ka dalë jashtë. Në mëngjes herët, 35-vjeçarja Evliha Halili është përballur me një pamje rrëqethëse. I shoqi ndodhej i vetëvarur në pemë në oborr të shtëpisë. Mësohet se Fatmir Halili kishte rreth 19 vjet që endej si emigrant ekonomik në Greqi. Ai nuk kishte dokumente, ndaj vinte herë pas here në familjen e tij duke bërë rrugë të gjata maleve në mënyrë klandestine. Ndihmonte me sa të mundte familjen me para të fituara me punë të ndryshme të rënda në shtetin e huaj. Por sërish në familjen e tij kishte varfëri. Për shkak të mungesës së dokumenteve, ai nuk kishte munduar të merrte bashkëshorten dhe fëmijët me vete, ndaj prej gati dy dekadash ishte i detyruar të jetonte larg tyre. Tre muaj më parë Halili kishte mbetur i papunë. Përpjekjet për të gjetur një punë kishin rezultuar të kota, ndaj një javë më parë ai kishte vendosur të kthehej për disa kohë te fëmijët e tij. Por varfëria ekstreme që gjeti ia rëndoi depresionin e papunësisë, derisa e çoi në vetëflijim. m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›