Sherr me armë, plagoset fëmija
DURRES/ OERD ULQINI
Përplasja me armë mes tre të rinjve plagos një fëmijë që po luante në oborrin e pallatit. Juxhers K., 10 vjeç mori plumb në kofshë nga një pistoletë, duke përfunduar në spital. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës, në lagjen 18 të qytetit të Durrësit, por ndonëse dy prej autorëve u arrestuan ata u munduan t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Plumbi i kalibrit 9 mm e goditi të miturin në kofshën e djathtë, duke e rrëzuar menjëherë mbi lulishte. Ka qenë ora 21:00 kur fëmija është shtrirë befas përdhe me gjymtyrën e gjakosur. Sipas specialistëve të balistikës, plumbi e ka goditur nga një distancë e afërt prej 10 metrash. Teksa kalimtarët e rastit e transportuan me me shpejtësi fëmijën në urgjencën pediatrike, afro 10 metra më tutje dy grupe rivale po shkëmbenin zjarr me pistoleta. Menjëherë policia ka vepruar, duke identifikuar autorët. Në sherr ishin futur tre persona me moshë 20-30 vjeç, me emrat Saimir Myftari, Briken Shkoza dhe Denis Hoxha. Në bazë të akt-ekspertimit të plumbave si dhe të përshkrimit të dëshmitarëve mësohet se Myftari dhe Hoxha kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të Shkozës. Në këto çaste njëri nga plumbat ka goditur pa dashje në kofshë djalin e vogël. Nga policia shkencore nuk është zbardhur ende fakti nëse plumbi mbi vogëlushin ka qenë rikoshet apo jo. Policia e mbërritur me urgjencë në vendngjarje ka arritur të prangosë Denis Hoxhën, 27 vjeç (tek vendi i quajtur Tre çezmat), ndërsa bashkëpunëtori i tij Saimir Myftari ka mundur të zhduket, duke përfituar nga errësira. Në vendngjarje është arrestuar edhe Briken Shkoza, personi i cili ishte vënë në shënjestër të atentatit nga dy të rinjtë e tjerë, për faktin se i arrestuari Denis Hoxha u ka deklaruar hetuesve “se Briken Shkoza na qëlloi i pari dhe ne u mbrojtëm”. Ndonëse objektiv ishte Briken Shkoza, ky i fundit i shpëton mrekullisht plumbave. Por policia nuk ka arritur të gjejë dot as pistoletën kalibër 9 mm, e cila mendohet të jetë e tipit “Zastava”, armë që e zotëronin Hoxha dhe Myftari dhe as armën që sipas deklarimeve të të arrestuarit Hoxha e zotëronte Shkoza. E vetmja provë në duart e specialistëve të balistikës është gjetja e një gëzhoje kalibër 9 mm dhe e plumbit me të njëjtin kalibër që shpoi kofshën e vogëlushit. Sipas policisë së Durrësit, asnjëri prej tre personave të përfshirë në sherr nuk është dënuar më parë, ndonëse njihen si persona problematike. Po punohet dhe për zbardhjen e motiveve të grindjes që përfundoi me armë zjarri.
Precedenti/ Si u vra pasagjeri i autobusit
Nuk ka kaluar një muaj kur ndodhi një ngjarje e rëndë si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes dy familjeve në lagjen Nish Tulla, në periferi të Durrësit. Plumbat ranë mbi një autobus linje, duke plagosur 4 pasagjerë. Njëri prej tyre humbi jetën pak ditë pas plagosjes. Policia arrestoi tre prej protagonistëve, të cilët akuzohen për vrasje.