“Kërcënohet” i penduari i masakrës së Cërrikut
TIRANE – Bashkëpunëtori i drejtësisë Bujar Buzani, i cili ka dëshmuar për ngjarjen e masakrës së Cërrikut mbrohet me trup nga forcat speciale në kafazin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, si pasojë e kërcënimeve të shumta në adresë të tij. Efektivat e forcave speciale të BRISK-ut janë detyruar të hyjnë brenda kafazit ku mbahen të pandehurit dhe të mbajnë të rrethuar Buzanin duke e ndarë atë nga të akuzuarit tjerë. Ditën e djeshme në seancën e radhës për të akuzuarit e masakrës së Cërrikut, forcat speciale kanë qëndruar brenda në kafaz, duke rrethuar të penduarin i cili është mbajtur i izoluar nga të arrestuarit e tjerë për ngjarjen e ndodhur në vitin 1997. I penduari i kësaj çështje ka marrë kërcënime në sallën e gjyqit edhe më parë nga vëllai i tij Tomorr Buzani, i cili është arrestuar për masakrën dhe po mbahet në burg, duke u fajësuar nga deklarimet e dhëna prej të penduarit të drejtësisë. Në hetimet paraprake dhe në seancat e mëparshme gjyqësore i penduari Bujar Buzani ka dëshmuar si ndodhi masakra e Cërrikut dhe autorët e vrasjes së gjashtë gardistëve dhe plagosjes së disa oficerëve të policisë. Dëshmia e të penduarit, e cila implikon Llazar Bicen, Roland Xhepexhiun dhe Met Mozin, kanë nxitur reagime të ashpra nga të pandehurit mes të cilëve ndodhet edhe vëllai i të penduarit. Veç izolimit në kafaz, i penduari është shoqëruar me masa të forta nga forcat speciale, si dhe i pajisur me maskë.