Provimi i Matematikës, testi sipas nivelit të nxënësve
Nxënësit e nëntës dhe të dhjetës do të jenë ata që do kenë më shumë vështirësi në provimin e matematikës. Ministria e Arsimit ka vendosur që dy ushtrime speciale në test të jenë vetëm për këtë grup maturantësh. Kush ja del të japë përgjigjet e sakta, do të vlerësohet me notat maksimale. Provimin e dytë të detyrueshëm rreth 40 mijë gjimnazistë do ta japin pasnesër. Ngujimi i hartuesve të testit në Agjencinë e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve ka disa ditë që ka nisur. Dy mësues të caktuar nga ministria kanë ekskluzivitetin e përzgjedhjes së pyetjeve. Edhe në këtë provim testi ka 25 pyetje. Prej tyre, 13 me alternativa dhe të tjerat me zgjidhje të detajuar. Nga sa bëjnë me dije drejtuesit e AVA-s do të jenë 7 variante testesh, që do të shpërndahen në të gjitha rrethet. Ndërkaq është parashikuar që 60 për qind e tezës së provimit do të jetë nga temat tashmë të shpërndara në programet orientuese për lëndët e provimit. Profili i shkollës së mesme do të specifikojë dhe llojin e testit që maturanti do të plotësojë në ditën e provimit. Po në varësi të tij është detajuar dhe shkalla e vështirësisë së pyetjeve. Bazuar në skemën e vendosur për çdo linjë të përmbajtjes, do të përfshihen kërkesat e tri niveleve të vështirësisë, në raportet 2:2:1(duke filluar prej nivelit minimal). Me mbylljen e këtij testi, rregullorja për 2009-n përcakton se kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në shkollat e larta, vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore. Pra në dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje. Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga prej testeve të detyruara, rezultati i tij konsiderohet i vlefshëm edhe në vitin në vazhdim. Nxënësi që është mbetës, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. z.ll