E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plas bombola, zjarri djeg tri apartamente në Tiranë

 

Etleva Delia

Tre apartamente në një pallat përballë Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, janë përfshirë nga flakët dje rreth orës 17:00, duke u djegur plotësisht. Shkak për rënien e zjarrit ka qenë plasja e një bombole gazi gatimi, në apartamentin e katit të gjashtë, ku jetonte me qira një shtetas grek. Policia e kryeqytetit është njoftuar nga shtetasi grek, i cili në momentin që ka plasur bombola, ka qenë duke ngjitur shkallët e pallatit. Sapo ka hapur derën e apartamentit dhe ka parë shtëpinë që ishte përfshirë nga flakët, ai menjëherë ka njoftuar policinë dhe më pas pronarin e apartamentit, Ilir Harxhi, i cili ia kishte dhënë me qira. Policia dhe zjarrfikëset kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por në atë kohë zjarri ishte ngjitur edhe dy kate më lart, duke djegur edhe apartamentet e katit të shtatë dhe të tetë. Fatmirësisht banorët e kateve më lart sapo kanë dëgjuar shpërthimin kanë zbritur nga banesat dhe nuk kanë pësuar dëmtime. Në të njëjtën kohë më policinë, edhe pronari i apartamentit të djegur, Ilir Harxhi, ka tentuar të futet brenda për të mbyllur bombolat e tjera të gazit, të cilat rrezikonin të plasnin nga flakët. Pavarësisht se efektivat e policisë i kanë bërë thirrje disa herë që të zbriste, duke qenë se rrezikonte jetën, Harxhi nuk ka pranuar deri në momentin, që është siguruar që nuk do kishte shpërthim tjetër gazi.
ZJARRI NE PALLAT
Në orën 17:00, një shtetas grek ka njoftuar në sallën operative të Policisë së Tiranës se apartamenti ku ai jetonte me qira prej disa muajsh ishte përfshirë nga flakët. Ai ka treguar se në momentin e zjarrit nuk ndodhej në shtëpi, por kur ka hapur derën, ka parë tym dhe flakë në kuzhinë. Ka mbyllur sërish derën dhe ka lajmëruar policinë, si dhe pronarin e banesës Ilir Harxhi. Ky i fundit ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, përballë Ministrisë së Drejtësisë dhe është futur brenda duke u munduar që të shuante flakët me disa pompa uji, që i mbante për raste emergjente. Më pas ka arritur të nxjerrë jashtë edhe disa bombola të tjera gazi, duke shmangur një shpërthim edhe më të fuqishëm. Dy makina zjarrfikëse kanë arritur që të shuajnë zjarrin për rreth 45 minuta, duke shmangur djegien e apartamenteve të tjerë, në pallatin 10-katësh. Burime nga policia thane së nga ngjarja nuk është plagosur asnjë nga banorët e pallatit, por dëmet materiale janë të konsiderueshme. Në apartamentin ku ka plasur bombola e gazit, çdo gjë është kthyer në hi, ndërsa në dy apartamentet e kateve më lart, dëmet kanë qenë më të vogla. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›