Gol në çdo ndeshje

Sulmuesi në formë i Arsenalit, Robin van Persie ka thënë se ndihet se mund të shënojë sa herë që shkel fushën e lojës. Holandezi realizoi het-trik kundër Chelseas në Stamford Bridge, ku Arsenali fitoi 5-3 në një ndeshje spetakolare të shtunën.
Me këto gola, Van Persie ngriti kuotën e tij të shënimeve në Premierligë në 10, ndërsa pranon se aktualisht e ka kapluar ndjenja pozitive.
“Ndiej se mund të shënoj sa herë që hyj në fushë. Për mua është ndjenja më e mirë që mund të kem. Nuk ka rëndësi kundër kujt luajmë, ne gjithmonë krijojmë raste, andaj kjo nënkupton se gjithmonë kam mundësi të shënoj gol. Pastaj më takon mua të dërgoj topin në rrjet. Do të humbi raste, por edhe do të shënoj gjithashtu. Të kem këtë ndjenjë është gjëja më e mirë në jetë”, tha Van Persie për të përditshmen angleze Daily Mirror.
Pas startit të dobët të sezonit, Arsenali ka hyrë në seri pozitive prej tetë fitoreve në nëntë ndeshjet e fundit në të gjitha garat dhe është ngjitur nga pozita e 15-të në Premierligë, ku ishte në fillim të muajit tetor, tek e shtata, pas fitores ndaj Chelseas. Van Persie ndjen se kritikët tani duhet të vlerësojnë formën e Arsenalit.
“Mendoj se për tashmë dy muaj jemi në formë të mirë. Por, kjo kaloi pak në heshtje, jo shumë njerëz e kanë vërejtur. Ne fituam tetë prej nëntë ndeshjeve të fundit, andaj kjo e vendos një standard. Të gjithë e kuptojnë se ne tani mund të fitojmë kundër cilësdo skuadër”, shtoi Van Persie i cili pranoi se takimi i fundit me Chelsean ishte i veçantë.
“Ndeshja në Stamford Bridge ishte njëra prej përballjeve më të çmendura në të cilat kam qenë i përfshirë ndonjëherë. Tetë gola e thonë më së miri. Ata humbën disa raste të mira, por i kishim edhe ne. Kisha një ndjenjë se secili nga ekipet mund të shënonte nga çdo kënd, çdo minutë e lojës. Ndeshje e çuditshme, por edhe interesante. Të shënojmë pesë gola atje ishte arritje e madhe e sidomos për faktin që u desh dy herë të kthehemi nga disavantazhi”, u shpreh ai.
Arsenali ishte duke humbur 1-0 e më pas 2-1 para se të udhëheqë 3-2. Pasi Juan Mata barazoi për Chelsean, vendasit dukeshin favoritë për të fituar, por Van Persie me dy shënimet e tij në minutat e fundit siguroi fitoren për ekipin e Wengerit.
“Të pranoni golin e barazimit pak minuta para fundit dhe të kundërpërgjigjeni me dy shënime tjera nuk është lehtë, por ne ia arritëm. Treguam karakter. Të shënojmë pesë gola në Stamford Bridge është gjë e madhe dhe mund të jemi shumë krenar”, përfundoi ai.
Arsenali pret Marseillen në Ligën e Kampionëve të martën para përballjes me West Bromin në Emirates të shtunën.