E Shtunë, 31 Tetor 2026

Golat e Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit

Deri dy muaj më parë askush nuk dyshonte se bota e futbollit kishte një mbret. Ky quhej Lionel Mesi dhe kurorën e kishte marrë 3 vjet radhazi, aq herë sa FIFA dhe “Frans Futbolli” i kishin dhënë Topin e Artë.
Por, tani, në përfundim të shkurtit të këtij vitit të brishtë, po kaq i brishtë është bërë edhe statusi i më të mirit të botës. Kristiano Ronaldo besohet se po arrin në nivelin e argjentinasit, ndërsa të dielën në Spanjë, shënoi një gol me takë ndaj Rajos së Vajekanos, një gol të jashtëzakonshëm që i dha fitoren Realit të Madridit.
Po atë të diel, veçse disa orë më vonë, Lionel Mesi u përgjigj me një tjetër magji të tij. Numri 10 siguroi 3 pikë tepër të vuajtura për Barcelonën, duke shënuar golin e dytë në fushën e Atletikos së Madridit, me një parabolë që u duk si ndonjë “raketë balistike” dhe mposhti portierin e papërgatitur kundërshtar.
Të dyja gazetat e mëdha sportive të Spanjës, dy rivale të thekura si “Marka” dhe “El Mundo Deportivo”, nuk patën asnjë zgjedhje përveçse të thërrisnin në një gojë: “Gjenitë”. Secila prej tyre thirri për gjeniun e vet, pra “Marka” për Kristiano Ronaldon” dhe “El Mundo” për Lionel Mesin.
Dy yjet vazhdojnë garën e golit, pasi portugezi ka shënuar 29 gola në 24 ndeshje dhe argjentinasi një më pak, pra 28 rrjeta në po 24 takime të Primera Divizionit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›