E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goldman Sachs fundosi Greqinë

Banka famëkeqe investuese Goldman Sachs ka përfituar me miliarda euro qarkullim nga rënia e ekonomisë greke. E gjithë kjo falë një kredie të komplikuar të cilin Athina e kishte përmbyllur me të në vitin 2001. Agjencia e lajmeve Bloomberg zbulon se qeveria greke dëshironte që në mënyrë fiktive të ulëte borxhin e saj duke tregtuar me derivate nafte, dhe se Goldman Sachs e kishte koordinuar këto veprime - në fakt, kishte përfituar nga kjo gjë.

Se qeveritë e ndryshme shpeshherë iu hyjnë transaksioneve komplekse tregtare, duke synuar që në këtë mënyrë të paktën nominalisht t’i zbukurojnë raportet e tyre financiare, nuk është asgjë e re. Mirëpo, duket se grekëve kjo lojë u kushtoi me humbje të majme.

Agjencia e lajmeve Bloomberg erdhi në posedim të një rrëfimi që flet për atë se banka investuese Goldman Sachs luajti rolin kyç në rritjen eksponenciale të borxhit grek, dhe se si nga e gjithë kjo punë përfitoi para të majme.

Në vitin 2001, Athina zyrtare inicioi një marrëveshje me bankën Goldman Sachs, e cila ia huazoi 2.8 miliardë euro. Qysh në ditën e huamarrjes borxhi i Greqisë kishte arritur në 600 milionë euro. Deri në vitin 2005, çmimi i transaksionit, gjegjësisht i derivateve, përmes të cilave ishte maskuar kjo huamarrje nga Goldman Sachs - të cilin banka amerikane kërkonte që të mos krahasohej me çmimet pakove të ngjashme në treg – kishte arritur në 5.1 miliardë euro, sqaron Bloomberg.

Detajet e kësaj kontrate të kobshme për Greqinë i zbuluan Spyros Papanicolau dhe Christoforos Sardelis, që të dy zyrtarë të agjencisë shtetërore greke për menaxhimin e borxheve. Profiti i menjëhershëm prej 600 milionë eurove tregon se hyrja në marrëveshje të shpejta dhe komplekse financiare është një lojë me rrezik të madh, sepse në ato raste nuk vlejnë parametrat e tregut. Pa hyrë në detaje të marrëveshjes, të cilat do të kërkonin një paranjohuri goxha të thelluara, duhet theksuar se transaksioni ndërmjet Goldman Sachs dhe Qeverisë së Greqisë përbëhej nga shndërrimi i borxhit në dollarë në valutën japoneze jen dhe në euro, duke aplikuar një kurs më të vjetër valutor. Mekanizmi i dytë i kontratës, i cili për qëllim duhej të kishte uljen e borxhit grek, ishin ndryshimet e përqindjeve të kamatave (nga ato fikse në të lira, dhe anasjelltas) gjatë kthimit të parave, varësisht nga ajo se si do t’iu konvenonte dy palëve kontraktuese.

Por, problemi ishte se për shkak të shumës së madhe dhe të kompleksitetit të kontratës, Goldman Sachs ndaj Greqisë kishte aplikuar provizione shumë herë më të mëdha tregtare se sa që zakonisht ndodhë në treg.

Kur pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 të hyrat dhe aksionet filluan të binin – asokohe ndodhi një shitje masive e tyre nëpër bursat botërore – kamata filluan të rriteshin me ‘shpejtësi të dritës’, sepse formula e pagesës së borxheve ishte e lidhur me projeksionin mbi lëvizjet e ardhshme në treg – i cili, megjithatë, nuk u realizua.

Marrëveshja u revidua në vitin 2002, kështu që prej atëherë pagesat bazoheshin në ndryshimin e inflacionit, i cili lidhej me indeksin e çmimeve me pakicë në Eurozonë. Me fjalë të tjera, bëhet fjalë për një marrëveshje që sjellë profit po qe se indeksi është më i madh ose më i vogël në momentin e arritjes së afatit të pagesës së obligacionit. Kjo gjë u tregua si vendim katastrofal, për shkak të rënies së vazhdueshme të fitimeve në aksione.

Papanicolaou, i cili e trashëgoi Sardelis’in në agjencinë greke për menaxhimin e borxhit, e kishte kritikuar paraardhësin e tij, duke pohuar se para detajizimit të cilësdo pikë të kontratës me Goldman Sachs është dashur që t’i verifikonte çmimet në tregun financiar. Sardelis nuk e bëri këtë gjë, sepse ky ishte kushti i vënë nga banka investuese. Ajo ishte e gatshme që të lëshonte kredinë vetëm me kusht të pranimit të kushteve specifike të kontratës.

Si rezultat, Greqia detyrohej të kthente nga 400 milion euro në vit, deri në vitin 2009. Më vonë borxhi i riprogramua, kështu kthimi i tij i vazhdua deri në vitin 2037. E se sa do të jetë saktësisht fitimi final i Goldman Sachs kjo nuk mund të precizohet, për shkak të fluktuimit të tregut. Mirëpo, ai i Greqisë dihet që tani – bankrotimi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›