E Shtunë, 31 Tetor 2026

Goleadë e çelsit, por Mançesteri ruan kreun

ANGLI- Pas fitores 5-0 në mesjavë ndaj Portsmuthit, çelsi i Karlo Ançelotit ka marrë një tjetër fitore me goleadë, duke mposhtur në “Stemford Brixh” 7-1 Aston Vilën. Heroi i takimit ishte Frenk Lampard me 4 golat e tij, 2 prej të cilëve me penallti. Mesfushori ka zhvilluar një sezon me ulje-ngritje, por në këtë takim ka qenë padyshim më i miri në fushë. Golat e tjerë për çelsin u shënuan nga Florent Maluda (dy) dhe Salomon Kalu. Ndërkohë, Mançester Junajtid ruajti kreun e Premier Ligës edhe pas kësaj jave. “Djajtë e Kuq” fituan 4-0 në fushën e Boltonit, duke treguar se po gëzojnë një moment forme të jashtëzakonshëm. Samuel shënoi një autogol në pjesën e parë, ndërsa Berbatov me dopietën e tij vulosi fitoren për Mançesterin. Në fund ishte edhe i riu Derrën Gibson që shënoi një gol. Javën tjetër, më 3 prill, do të jetë përballja direkte për kreun e Premier Ligës, ku Mançesteri do të presë në “Old Traford” çelsin. Ndërkohë, vetëm barazim 1-1 për Arsenalin ndaj Birmingamit, rezultat që i largon “Topçinjtë” nga beteja për titull. Skuadra e Venger shënoi e para me anë të Nasri pak minuta para përfundimit, por Birmingami u kundërpërgjigj me Kevin Filips në shtesë. Në takimet e tjera, Totenhemi mposhti 2-0 Portsmuthin, ndërsa me të njëjtin rezultat Hulli fitoi ndaj Fulhamit. Ndërkohë ka ardhur humbja e 6-të radhazi për Uest Hemin dhe tashmë pankina e Xhanfranko Zolës është më e rrezikuar se kurrë. “çekiçët” u mposhtën 1-0 në shtëpi nga Stoke. Ndeshja tjetër, ajo mes Ulverhempton dhe Everton, përfundoi në barazim pa gola.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›