Roma mposht Interin dhe rihap Serinë A
ROME- Roma ka fituar një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, duke mposhtur 2-1 Interin në “Olimpiko” dhe duke rihapur gjithçka përsa i përket betejës për titullin kampion. Falë një grinte të jashtëzakonshme, verdhekuqtë kanë arritur të triumfojnë ndaj rivalëve zikaltër dhe tashmë e shohin veten 1 pikë larg kreut. Një disfatë e rëndë ajo e së shtunës për skuadrën e Murinjos, që ka lejuar afrimin e një kundërshtari direkt në betejën për titull. Interi nuk ka qenë ai i zakonshmi përsa i përket lojës e grintës, megjithatë rastet nuk kanë munguar. Madje, kampionët në fuqi të Italisë kanë goditur edhe tre herë shtyllën me anë të Samuel në pjesën e parë dhe dy herë me Militon në të dytën. Roma kaloi në avantazh në minutën e 16-të me anë të De Rosit, ndërkohë që zikaltërit më shumë kanë qëndruar në pritje. Në pjesën e dytë Murinjo ka hedhur në fushë një skuadër më kërkuese dhe në minutën e 66-të erdhi goli i barazimit me anë të Diego Militos. Aksioni në fakt nisi nga një pozicion jashtë loje, gjithsesi anësori lejoi zhvillimin e tij. 7 minuta pas këtij momenti, Luka Toni shënon edhe golin e dytë, pas një gjuajtje-asist të Tadeit, duke mposhtur në zonë Zhulio Sezar. Të dielën mund të afrohet edhe Milani që pret në “San Siro” Lacion.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)