E Diel, 1 Nëntor 2026

Golem, 140 familje: Godinat luksoze na zunë plazhin

Mbi 140 familje nga plazhi i Qerretit janë hedhur në një protestë masive. Ata kundërshtojnë me forcë privatizimin e disa prej parcelave bregdetare. 

Bëhet fjalë për 1.5 km bregdet në zonën e Qerretit, i cili është betonuar në një kohë rekord. “Mos luani me bukën tonë”, “Peshkimi buka jonë” etj., ishin disa prej pankartave, të cilat banorët i kanë vendosur në rërën e grumbulluar, si shenjë mosaprovimi për atë çfarë po ndodh në plazh. Një javë më parë, Policia Ndërtimore e mbështetur dhe nga Policia e Rendit ka shembur të gjitha aktivitetet e ngritura nga këta banorë përgjatë bregdetit dhe në vend të tyre janë hedhur themelet për pallate dhe rezidenca luksoze. Banorët kishin një aktivitet të licencuar nga komuna e Golemit për një kohë dymujore, por ky fakt nuk u mor në konsideratë. Kundërshtimit të banorëve i është përgjigjur policia, e cila nuk ka ngurruar të shoqërojë disa prej protestuesve, që shprehen se pronarët e rinj janë pushtetarë e vetë ministra. Çdo vit në këtë plazh vinin mbi pesë mijë turistë, ndërsa këtë sezon edhe ata turistë që kishin ardhur janë larguar me të parë fadromat që zhurmonin në çdo çast. Sabotimi i sezonit nga aksionet e ndërtimorëve ka dëmtuar tej mase këta banorë që mbanin familjet e tyre me aktivitetet e ngritura prej vitesh. Banorët e kësaj zone, të vetmet burime jetese kanë peshkimin dhe turizmin. Ata tashmë shohin si tepër kërcënuese vazhdimin e peshkimit, nëse aty do të mbijnë hotelet dhe plazhet private. Qerreti është zona e vetme ku pylli i Golemit i ka shpëtuar pjesërisht deri më tani barbarisë së betonimit dhe të prerjes pa kriter. Ky fakt e ka bërë këtë plazh shumë të frekuentuar nga turistë që kërkojnë veç rërës dhe plazhit të pastër, edhe hijen e pishave të larta. Në Qerret plazhi publik ka pasur në dispozicion një hapësirë tepër të gjerë, por me parcelizimin e ri situata mund të ndryshojë shumë shpejt. Plazhi i Qerretit është pjesa më fundore e rërës në Gjirin e Durrësit, pasi me të mbaruar ky fshat bregdeti fillon të bëhet shkëmbor dhe i ashpër. Ky plazh është pjesë e komunës së Golemit.o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›