E Diel, 1 Nëntor 2026

Mashtrimi me pensionet, gjykata: “Burg pa afat” ish-deputetit

TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për tre të arrestuarit e operacionit policor të koduar “Qelia e hapur”. 

Kështu, rreth orës 10:00 të paradites së djeshme  Qazim Laçi, 60 vjeç, ish-deputet dhe ish-kreu i minierës së boksideve në Priskë; Fatmir Sula, 51 vjeç, ish-shefi i kuadrit në këtë minierë, aktualisht përgjegjës i zyrës së inxhinierëve në “Alba Minierave” në Ministrinë e Ekonomisë; si dhe Rabie Puple, 43 vjeç, lindur në Burrel dhe banuese në kryeqytet, ish-përgjegjëse e zyrës së verifikimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht shefe e zyrës së vlerësimit pranë degës së Thesarit, u njohën me masat e sigurisë që gjykata kishte vendosur pak ditë më parë në ngarkim të tyre nën akuzat: “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë të kryera në bashkëpunim”, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”. Asnjë prej të pandehurve nuk e pranoi akuzën dhe nuk preferuan të jepnin shpjegime. Ndërsa prokurori që kishte drejtuar hetimet paraprake pohoi se, këta në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke filluar që nga viti 2004 kishin pajisur me pensione miniere 7 persona në kryeqytet, duke përfituar nga ata shuma nga 1 800 deri në 2 500 euro. Hetimi ka nxjerrë se të arrestuarit kishin falsifikuar dokumentet e viteve ’80, të kuadrit të minierës së boksideve në Priskë.                                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›