E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët e Valiasit braktisin dhe ujin

TIRANE - Mosreagimi i qeverisë i ka çuar minatorët grevistë në ndërmarrjen e hapave ekstremë. 

 Në ditën e trembëdhjetë të grevës së tyre të urisë, 12 minatorët e minierës së Valiasit kanë ndërprerë konsumin e ujit të pijshëm. Ashtu siç kishin premtuar dy ditë më parë, kur ndërprenë edhe pirjen e lëngjeve, dje ata i kanë thënë “stop” edhe lëngut jetik. Efekti ka qenë i menjëhershëm te gjendja e tyre shëndetësore, e cila është rënduar. Por edhe pse mjekët u kanë rekomanduar injektimin e serumeve, ish-minatorët kanë refuzuar ndihmën mjekësore. Ata deklarojnë se do të qëndrojnë në grevë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Ndërsa të solidarizuar me minatorët e Valiasit, 20 ish-minatorë të Përrenjasit kanë hyrë dje në ditën e pestë të grevës së urisë. Ashtu si minatorët e tjerë grevistë, ata kërkojnë rritjen e vlerës së pensionit të tyre si dhe uljen e moshës së përfitimit të tij. Mjekë të spitalit të Përrenjasit, pasi kanë vizituar grevistët, pohuan se gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqitet e mirë. Ndërsa mësohet se një grup minatorësh janë nisur drejt Tiranës, në mbështetje të minatorëve të Valiasit. Dy ditë më parë, minatorë nga i gjithë vendi kanë protestuar paqësisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Me anë të kësaj proteste ata i bënë thirrje qeverisë të mos vazhdojë indiferencën ndaj kësaj kategorie, por të përmbushë me urgjencë kërkesat e tyre minimale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›