Golem, anijet e mbytura “zaptojnë” plazhin
DURRES - Në plazhin e Golemit, ashtu sikurse edhe në pjesë të tjera të Gjirit të Durrësit, shqetësimi për pastrimin e detit nga anijet e mbytura nuk po gjen zgjidhje. Në pamundësi për të zhvendosur masat e mëdha të hekurit, komuna e Golemit ka gjetur një zgjidhje të përkohshme, duke e rrethuar zonën e rrezikshme me thasë plastike të mbushur me rërë. Por pavarësisht kësaj mase, fëmijët lahen në këto ujëra, ndërsa qytetarët nuk ngurrojnë të shëtisin mes copave të ndryshkura metalike. Në Golem është mbytur një anije në mesin e viteve '90. Pjesa e sipërme e saj është shitur për skrap, ndërsa pjesa e zhytur, nxjerrja e së cilës ka kosto më të lartë vijon të qëndrojë aty duke u ngulur thellë e më thellë në rërë me kalimin e viteve. Ulja e çmimit të skrapit në bursën ndërkombëtare, ndikoi gjithashtu edhe në pezullimin e operacioneve të pastrimit, pasi lekët që do të përfitoheshin nga skrapi i shitur i anijeve të mbytura nuk mbulonin dot faturën e shpenzimeve për pastrimin e plazhit. Me një shqetësim të tillë përballet veç Golemit edhe zona e plazhit të Durrësit nga "Teuta" e deri në "Apollonia". Banorët e Durrësit shprehen të revoltuar ndaj kësaj situate pasi sipas tyre anijet e mbytura kanë prishur gjithë peizazhin e këtij plazhi. Ndërsa vendorët pohojnë se ende nuk mund të ndërhyhet për nxjerrjen e hekurishteve pasi kostoja është shumë e madhe. o.u