E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama përplaset me Malajn në grupin e PS, Fino propozon Blushin në vend të Dokles



Aristir Lumezi

Mbledhja e grupit parlamentar socialist nuk i shpëtoi dhe dje debatit për mënyrën e drejtimit të PS. Anëtari i kryesisë socialiste, Arben Malaj, ka kërkuar një alternim më të mirë mes deputetëve të rinj dhe deputetëve të vjetër në drejtimin e komisioneve parlamentare, por edhe në kryesinë e grupit parlamentar. Por kreu socialist, i cili ishte dje prezent në mbledhje, i ka sqaruar Malajt se në hartimin e listës së deputetëve që do të drejtojnë komisionet parlamentare, por edhe do të jenë në kryesinë e grupit socialist është konsultuar me kreun e grupit Ruçi dhe lista është gjithëpërfshirëse. Ky reagim i kryetarit duket se për Malajn ka të bëjë me dy koncepte të kundërta drejtimi të partisë. "Unë po flas për një koncept tjetër nga i yti, jo për një parti presidenciale, por për një ekip që diskuton dhe vendos në mënyrë kolegjiale. Unë nuk jam manekin politik. Kjo frymë më detyron të tërhiqem nga pozicioni i nënkryetarit të komisionit të ekonomisë", është shprehur Arben Malaj. Më parë kreu i grupit socialist, Ruçi, e kishte propozuar atë për nënkryetar të komisionit parlamentar të ekonomisë. Ndërsa sekretarja për marrëdhëniet me jashtë, Arta Dade, ka kërkuar që kryesia e grupit të kishte më shumë femra në përbërjen e saj. Nga katër nënkryetarë, ajo ka kërkuar të paktën dy femra, propozim që nuk është marrë parasysh dhe lista është lënë ashtu siç ishte përgatitur nga kryetari i grupit dhe Edi Rama. Gjatë mbledhjes deputeti Bashkim Fino ka hedhur një propozim për pozicionin e nënkryetarit të Kuvendit. Fino ka propozuar Ben Blushin si kandidaturë alternative ndaj Namik Dokles, ndërsa deputetë të tjerë e kanë kundërshtuar, duke thënë se ai nuk është dhe prezent në mbledhje. Ndërsa Rama ka kërkuar që për të dy kandidaturat të votohej. Më pas Fino ka tërhequr propozimin e tij, pasi nuk kishte marrë pëlqimin e vetë Blushit, ndërsa nuk ka mundur të komunikojë as në telefon me të.
Zgjedhja
Pas një viti nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009, PS vetëm dje mundi të kompletojë përfaqësimin e saj në Parlament. Sipas ndarjes së bërë të drejtuesve të komisioneve nga ana e maxhorancës, socialistët do të drejtojnë që sot tri komisione parlamentare, ndërsa do të kenë nënkryetarin në pesë komisione të tjera. Kreu socialist ka marrë që në fillim të mbledhjes fjalën e tij dhe ka propozuar Namik Doklen për nënkryetar të Kuvendit, kandidaturë që u pranua në unanimitet të plotë nga të gjithë deputetët e pranishëm. Më pas kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, lexoi listën e kryetarëve dhe nënkryetarëve të komisioneve parlamentare. Nuk ka pasur propozime të tjera përveç atyre të Malajt dhe Dades, ndërsa gjatë gjithë mbledhjes ka mbizotëruar unanimiteti i deputetëve. Ka rënë në sy dje mungesa e deputetëve të mendimit ndryshe, Islami, Blushi, Harasani dhe Bello, disa prej të cilëve ka kohë që nuk marrin pjesë në mbledhjet e grupit socialist.

zgjedhjet ne grupin e ps

Drejtuesit e PS në Kuvend
Namik Dokle, nënkryetar i Kuvendit
Ermelinda Meksi, kryetare e Komisionit për Integrimin Europian
Valentina Leskaj, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Et'hem Ruka, kryetar i Komisionit për Punën, çështjet Sociale dhe Shëndetin

Nënkryetarë komisionesh
Fatmir Xhafa, Komisioni i Ligjeve
Mimi Kodheli, Komisioni i Ekonomisë
Arta Dade, Komisioni i Jashtëm
Ilir Gjoni, Komisioni për Sigurinë Kombëtare
Ilir Beqaj, Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

Kryesia e grupit parlamentar
Gramoz Ruçi, kryetar
Erjon Braçe, nënkryetar
Vasilika Hysi, nënkryetare
Saimir Tahiri, nënkryetar
Eduard Shalsi, nënkryetar
Taulant Balla, sekretar

Diskutimet në grupin parlamentar

Rama: Për postin e nënkryetarit të Kuvendit propozoj Namik Doklen.
Fino: Zoti kryetar, kam edhe unë një propozim. Propozoj Ben Blushin për nënkryetar Kuvendi.
Rama: OK, meqenëse ka dy emra për këtë pozicion, duhet ta hedhim në votim.
Qefalia: Po ku ta gjejmë Blushin, se ai s'është?
Dade: Edhe Sajmiri nuk është prezent në mbledhje...
Fino: Më duhet të marr edhe pëlqimin e Blushit, sepse ky ishte një propozim imi personal dhe nuk jam konsultuar me të. (Fino merr në telefon Blushin, rezulton i mbyllur). Tërheq propozimin tim, sepse Blushi e ka të fikur telefonin dhe s'mund të këmbëngul pa pëlqimin e tij.

Miratohet në unanimitet me votim të hapur kandidatura e Dokles.
Kryetari i grupit propozon kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Gjithashtu propozohet kryesia e re e grupit parlamentar socialist, katër nënkryetarë Erion Braçe, Vasilika Hysi, Saimir Tahiri dhe Eduard Shalsi, ndërsa sekretar të grupit, Taulant Balla.

Malaj: E pranoj përgjegjësinë politike që më jepet. Por më duket se duhet harmonizuar sa më mirë përfaqësimi ynë politik si në komisionet parlamentare, ashtu edhe në kryesinë e grupit. Kërkohet një përfaqësim edhe nga qarqe të tjera në kryesinë e grupit por edhe më shumë shoqe, ndërsa në komisione të mos jemi po ne të vjetrit, por të përfshihen edhe të rinjtë.
Rama: Këtë punë e kam diskutuar edhe me Gramozin dhe mendojmë se propozimet janë të studiuara mirë.
Malaj: Unë po flas për një koncept tjetër nga yti, jo për një parti presidenciale, por një ekip që diskuton dhe vendos në mënyrë kolegjiale. Unë nuk jam manekin politik. Kjo frymë më detyron të tërhiqem nga pozicioni i nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë.
Ruçi: Kërkesa pranohet. Atëherë në vend të Arbenit, propozoj Mimi Kodhelin nënkryetare të Komisionit të Ekonomisë.
Dade: Do ishte më mirë që të kishte më shumë femra në kryesinë e grupit parlamentar, të paktën të kishim një barazi gjinore, siç kemi kërkuar gjithnjë.

Miratohen në unanimitet me votim të hapur propozimet për plotësimin e pozicioneve drejtuese të komisioneve parlamentare si dhe kryesia e grupit parlamentar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›