Vlorë, bunkerët e diktaturës i “mbulon” erozioni detar
Erozioni detar për shkak të ngrohjes globale po merr sipërfaqe toke nga dita në ditë përgjatë bregdetit të Vlorës. Një fenomen i tillë është bërë shumë i dukshëm sidomos në zonën e plazhit të Zvërnecit. Deti është futur edhe në zonën e pishave, duke shtuar sipërfaqen detare jo vetëm në plazh. Ky plazh vlerësohej jo vetëm për rërën dhe detin e pastër por dhe për hijen e pishave. Zvërneci frekuentohet jo vetëm nga banorët e Vlorës, por edhe të ardhur nga rrethe të tjera të vendit. Sipas specialistëve, erozioni ka shkatërruar rreth një kilometër sipërfaqe plazhi dhe pishash. Një dëshmi e gjallë se sa deti ka "zaptuar" tokën janë edhe bunkerët të futur rreth 50 metra në ujë. Sipas banorëve të zonës, bunkerët kanë qenë të vendosur rreth 50 metra larg nga deti, por tashmë ato ndodhen rreth 50 metra në ujë, çka do të thotë se deti është futur në tokë rreth 100 metra duke dëmtuar një sipërfaqe të madhe plazhi, toke dhe pishash. "Fenomeni i erozionit nga deti ka filluar që prej 4 vitesh, por më i dukshëm është bërë një vit më parë. Madje erozioni u bë akoma më i dukshëm dhe më agresiv duke shkatërruar plazhin totalisht dhe duke shkulur edhe pisha", u shprehën banorë të kësaj zone. Ata janë dëshmitarë të përditshëm të këtij fenomeni, të cilin nuk kanë asnjë mundësi ta ndalojnë.
Sipas specialistëve, shkaku i erozionit detar vjen si pasojë e ngrohjes globale. "Nëse nuk merren masa nga autoritetet për mbrojtjen nga erozioni detar, plazhet e bregdetit si dhe sipërfaqe të tokës do të shkatërrohen nga dallgët. Edhe kryeministri Berisha u shpreh pak ditë më parë për rrezikun e erozionit detar, si dhe marrjen e masave mbrojtëse", u shprehën specialistë mjedisorë. Tre muaj më parë, dallgët e detit u futën rreth 500 metra në tokë në zonën e plazhit të Triportit, por dhe të Zvërnecit duke përmbytur disa lokale dhe sipërfaqe të tëra plazhi. Një fenomen i tillë sipas banorëve nuk është parë asnjëherë. Sipas tyre, shkaku është ndryshimi klimaterik dhe ngrohja globale. I njëjti fenomen është shfaqur dhe në pjesë të tjera të bregdetit, si në Lezhë e Fier, duke bërë që uji i detit të përpijë sipërfaqe të mëdha bregdetit.