Sa do rriten pagat dhe pensionet
nertila maho
Nga 1 korriku, pagat e administratës dhe pensionet do të rriten. Kryeministri Sali Berisha e ka rikonfirmuar dje për të disatën herë se Qeveria e tij do t'i shkojë deri në fund këtij premtimi paraelektoral. Këtë besim kreu i Qeverisë e bazoi në performancën e mirë të ekonomisë, ku vërehet një rritje e eksporteve, depozitave në sistemin bankar dhe numrit të bizneseve. "Janë këta tregues, të cilët na shtyjnë ne të vendosemi kundra rryme për rritjen e rrogave dhe pensioneve, siç i kishim parashikuar. Ne kemi përzgjedhur t'i përmbahemi këtij premtimi të programit të Qeverisë, me bindjen më të thellë se investimi i parë dhe më i rëndësishëm i të gjitha investimeve është investimi te njeriu", tha Berisha. Ky vendim i Qeverisë, që pritet të japë efekt direkt mbi të ardhurat e 820 mijë qytetarëve shqiptarë, ende nuk ka marrë formën përfundimtare por skemat e mundshme për masën e rritjes së pagave dhe pensioneve janë lakuar herë pas here. Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se rritja e pagave dhe pensioneve do t'i qëndrojë besnike detajeve të programit ekonomik fiskal. Ky program parashikon një rritje prej 4% për pagat e larta dhe 10% për pagat e ulëta, ose ndryshe minimale. Ndërkohë për sa i përket pensioneve, rritja e tyre do të jetë përkatësisht 7% për qytetin dhe 15% për fshatin. Deklaratat e herëpashershme të kreut të ekzekutivit Sali Berisha, Ministrit të Financave, Bode dhe atij të Punës, Ksera, shpesh kanë rikonfirmuar këto shifra duke krijuar kështu një tablo të qartë mbi planet e Qeverisë, për masën e rritjes së pagave dhe pensioneve. Kryeministri Sali Berisha theksoi pak kohë më parë, që rritja më e madhe do të jetë për pagat dhe pensionet e ulëta kurse për pagat e zyrtarëve të lartë rritja do të jetë aq sa inflacioni, ose një për qind më shumë sipas rregullave të përcaktuara. Gjithçka pritet të vendoset pas mbylljes së 6 mujorit të parë të këtij viti, ku do të analizohet realizimi i të ardhurave. Sidoqoftë në buxhet janë të ngrira aktualisht 5.7 miliardë lekë ose 57 milionë dollarë për rritjen e pagave dhe pensioneve. Nga këto, 3 miliardë lekë janë të parashikuara për paga dhe 2.7 miliardë për pensione.
Shkurtimi i buxhetit
Ana tjetër e medaljes për rritjen e pagave dhe pensioneve është regjimi i disiplinuar në përdorimin e buxhetit që duhet të zbatohet. Kryeministri Sali Berisha theksoi dje gjatë mbledhjes së Qeverisë se buxheti duhet të shkurtohet në aspektin e shpenzimeve, në mënyrë që të ruhet balanca makroekonomike. "Dua t'ju informoj se këtë vit do shkojmë në Parlament për të shkurtuar shpenzimet. Në qoftë se vendosim të rrisim rrogat dhe pensionet, ne do t'i qëndrojmë asaj që kemi deklaruar, për shkurtimin me 20 për qind të buxhetit të të gjitha institucioneve", tha Berisha. Sipas tij, shkurtimet e para më të mëdha do t'i bëhen Qeverisë dhe agjencive të Qeverisë, por nga ana tjetër nga këto shkurtime nuk do të përjashtohet as edhe një institucion i vetëm. Në shkurt Qeveria "ngriu" 30 miliardë lekë nga shpenzimet e administratës, ku një pjesë e mirë e kësaj shume i përket investimeve publike. Shumë shpejt pritet që në Parlament të realizohet shkurtimi i 20 për qind të buxhetit të miratuar për 2010-ën, sikurse konfirmon edhe kreu i Qeverisë Berisha. Nga ana e Ministrisë së Financave është konfirmuar se një rishikim i buxhetit mund të bëhet në fillim të korrikut, por që ky rishikim nuk do të prekë pagat, pensionet, investimet.
shkurtimet ne buxhet 2010 2010
Buxheti Pritshmi
TOTALI TE ARDHURAVE 360.955 330.565 -30.390
TOTALI I SHPENZIMEVE 410.721 380.331 -30.390
Shpenzime Korrente 319.430 308.820 -10.610
Shpenzime Operative Mirembajtje 37.272 32.272 -5.000
Buxheti lokal 38.223 31.486 -6.737
Buxheti lokal (Granti) 17.275 16.008 -1.267
Buxheti lokal (Te ardhurat e veta) 20.948 15.479 -5.469
Shpenzime te tjera 20.542 20.542 0
Shpenzime Kapitale 86.062 67.409 -18.653
Financimi Brendshem 59.471 38.599 -20.872
Financimi Huaj 26.591 28.810 2.219
DEFIçITI -49.766 -49.766 0
FINANCIMI DEFIçITIT 49.766 49.766 0
Brendshem 39.612 35.926 -3.686
Te ardhura nga Privatizimi 300 300 0
Hua-marrje e brendeshme 39.312 35.626 -3.686
I Huaj 10.155 13.840 3.685
Hua afatgjate(e marre) 18.815 22.500 3.685
Këshilltarët
Pagat e ulta 10%
Pagat e larta 4%
Zyrtarët e lartë 1%
Pensionet e lartë 7%
Pensionet e ulta 10%
Pensionet fshat 15 %
Financat: Borxh në euro edhe nga bankat vendase
Situata e favorshme në tregun vendas ka bërë që Qeveria të kthejë sytë te mundësia e huamarrjes së brendshme, përmes emetimit të një bonoje afatshkurtër të dominuar në euro. Drejtori i Borxhit, Xhentil Demiraj bëri me dije dje se Ministria e Financave po monitoron me kujdes likuiditetin në tregun e brendshëm, për të analizuar mundësitë që ekzistojnë. "Normat e interesit të huamarrjes së brendshme janë ulur në mënyrë konstante. Kështu bonoja "benchmark", apo barometër, e Qeverisë, që është ajo 1-vjeçare, është ulur nga 9.24% në fund të vitit 2009, në 8% aktualisht, çka përbën një reduktim të kostos që ajo shkakton në buxhetin e shtetit, prej më tepër se 13%" thekson Demiraj. Me një logjikë të thjeshtë, në kohën kur tregjet financiare të huaja po shfaqin një destabilitet të theksuar dhe interesa jo të favorshme, një huamarrje brenda vendit me interesa të leverdishme mund të bëhej zgjidhja e Qeverisë në këtë moment. Nga ana tjetër, Demiraj thekson se Financat po tregohen të kujdesshme për të mos rrezikuar plotësimin e nevojave të sektorit privat. Sa i përket Eurobondit dhe destinacionit të tij, drejtori i Borxhit bën me dije se Shqipëria është në pritje të "kohëve më të mira" në tregjet financiare të huaja. Një tjetër pikë në të cilën u ndal drejtori Xhentil Demiraj ishte edhe niveli i huamarrjes për këtë vit. "Huamarrja e 2010-ës vijon të kryhet në përputhje me Ligjin e Buxhetit për këtë vit. Sipas këtij ligji, deficiti vjetor prej 49,7 miliardë lekësh do të financohej nëpërmjet Huamarrjes së Brendshme prej 39,6 miliardë lekësh, dhe financimit të huaj nga kreditë e zhvillimit prej 10.1 miliardë. Deri më tani, huamarrja e brendshme ka arritur në 14,5 miliardë lekë apo 36% e totalit të saj për gjithë vitin", informoi ai.