E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dorëzon pyetjet shtesë të pyetësorit të KE



Qeveria shqiptare ka përfunduar dhënien e përgjigjeve dhe përkthimin e rreth 170 pyetjeve shtesë të pyetësorit të Komisionit Europian dhe pritet ta dorëzojë sot në Bruksel. Kryeministri Sali Berisha dhe Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu deklaruan pak javë më parë se afati i fundit për ta dorëzuar pyetësorin është data 10 qershor. Në pyetësor, përveç 170 pyetjeve ka edhe nënpyetje dhe çështje të tjera, që e çojnë numrin total në 700. Disa prej pyetjeve kishin të bënin me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me objektin e hetimit të komisioneve hetimore parlamentare, por edhe pyetje mbi përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Këto pyetje kanë ardhur për shkak se në momentin që Shqipëria dorëzoi pyetësorin në prill, nuk ishin votuar ende në Parlament. Ndërkohë që një tjetër kërkesë e Komisionit Europian është përkthimi në gjuhën angleze të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Komisioni pasi të analizojë të gjithë pyetësorin do të përgatisë mendimin, nëse Shqipëria është gati për të marrë statusin e vendit kandidat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›