Gomez dhe Xho, dy emra të rinj për sulmin e Milanit
Milani i vitit 2008-2009 do të kërkojë titullin kampion, por për ta arritur këtë objektiv, klubi do të hyjë fuqishëm në merkato për të afruar dy mbrojtës dhe të paktën një sulmues. Për sa i përket prapavijës, duket i sigurt afrimi i Mateo Ferrarit dhe Xhanluka Zambrotës gjatë merkatos verore. Por gjithçka mbetet e hapur për sa i përket repartit të avancuar, përveç faktit që ëndrra e të gjithëve mbetet Dider Drogba. Pas sulmuesit të Çelsit, në listë janë Amauri dhe Adebajor, por gjatë orëve të fundit kanë dalë në skenë edhe dy emra të tjerë, jo aq shumë popullorë, por që mund të përshtaten pa vështirësi në skemat e Ançelotit.
Emri i parë është ai i Mario Gomez, 22-vjeçarit spanjoll të natyralizuar si gjerman, i cili luan me Shtutgartin. Golashënuesi më i mirë i Bundesligës i përshtatet më së miri "portretit" të sulmuesit që kërkon Berluskoni dhe Galiani, një "pykë" e mirëfilltë, e cila mund të ndihmojë inkursionet e Kaka dhe Pato. Në edicionin e tij të parë në Ligën e Kampioneve, ai arriti të shënojë 3 gola në 4 ndeshje, duke treguar më së miri cilësitë e tij para portës. Gomez është një lojtar shumë i ri në moshë dhe ka një çmim të përballueshëm, 16-17 milionë euro, që e bën më se të realizueshëm kalimin e tij te Milani.
Emri i dytë vjen pas sugjerimeve të Leonardos, atij që zbuloi fillimisht Kaka e më pas Paton. Ish-mesfushori i kuqezinjve ka sinjalizuar prej disa muajsh sulmuesin brazilian të CSKA-së së Moskës, Zhoao Alvesh de Asis Silva, i njohur me nofkën "Xho". Futbollisti tregoi të gjitha vlerat e tij ndaj Interit në këtë edicion të Ligës së Kampioneve, duke shënuar dy gola në portën e Hulio Sezar. Edhe Xho është shumë i ri, vetëm 21 vjeç dhe kushton rreth 20 milionë euro. Por për të afruar këtë sulmues, kuqezinjtë duhet të veprojnë shpejt, pasi për të po interesohet edhe Arsen Venger, trajneri i Arsenalit. Normalisht plani i afrimeve do të shoqërohet edhe me largime, ku emri i parë në listë është ai i Alberto Xhilardinos, zhgënjimi më i madh i kuqezinjve në tre edicionet e fundit, ku nuk ka arritur të jetë vendimtar në repartin e avancuar.