Mjekët: Qendra e traumës nuk po merr vëmendjen e duhur
"Qendrës së Traumologjisë nuk po i kushtohet vëmendja që meriton nga organet që ka në vartësi", këtë pohojnë një pjesë e mirë e mjekëve të Spitalit Ushtarak. Ndonëse është e vetmja në llojin e saj që përballon, që nga plagosjet me armë zjarri, aksidentet e deri te tragjeditë natyrore, bluzat e bardha janë të pakënaqura. Kjo sa i përket medikamenteve, pajisjeve mjekësore e trajtimit të tyre. "Vartësia nga Ministria e Mbrojtjes po e dëmton Qendrën e Traumës. Veç kësaj, fluksi i pacientëve është tejet i lartë e në jo pak raste i papërballueshëm. Shumë të dëmtuar vijnë çdo ditë nga rrethet pasi nuk kanë ku të marrin shërbimin që u nevojitet", pohojnë mjekët. Ata insistojnë se politrauma nuk është vetëm thyerje kockash, ato përbëjnë vetëm 10-15% të rasteve. "Ka traumë të kokës, që përballohet nga neurokirurgët tanë, ka traumë të gjoksit, të barkut, të sistemit urinar dhe të enëve të gjakut dhe të gjitha këta përballohen nga personeli i Spitalit Ushtarak", sqarojnë bluzat e bardha. Ndërsa Ortopedi-traumatologjia është pjesë e spitalit civil, por që u vendos më 1993-in tek Ushtaraku, për shkak të mungesës së ambienteve te QSUT-ja.