E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i “Albpetrol”, qindra punonjës pritet të dalin në rrugë



Kompania "Albpetrol" në Patos, Uzina Mekanike e Naftës, Kuçovë dhe Patos pritet që shumë shpejt të shtrihen në një të vetme, duke lënë në rrugë qindra punonjës. Lajmi është bërë publik nga zëdhënësja e kompanisë, Enkelejda Troka, e cila ka deklaruar se gjithçka do të bëhet në kuadër të ristrukturimit dhe marrëveshjes që kjo kompani ka bërë me kompani të huaja të prodhimit të naftës për dhënien me koncesion të një numri të madh pusesh. Tashmë një fakt i tillë, i paralajmëruar muaj më parë, është bërë zyrtar pas daljes dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave. “Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, nr. 275, datë 26.4.2010, në kuadër të ristrukturimit të ndërmarrjeve tregtare me kapital shtetëror, ‘Albpetrol’ Patos, Uzina Mekanike e Naftës, Kuçovë dhe Uzina Mekanike e Naftës, Patos, është vendosur bashkimi i tyre me anë të përthithjes së këtyre shoqërive. Ky bashkim si dhe zbatimi në vazhdimësi i ‘Albpetrol’ që ka me kompanitë e huaja ka sjellë që pjesa më e madhe e burimeve të naftës të shfrytëzohet nga këto kompani koncesionare. Si rezultat është domosdoshmëri shkurtimi i fuqisë punëtore në këto kompani”,- ka thënë zëdhënësja Troka. Sipas saj konfirmohet se mbi disa kritere mbi baza vjetërsie apo sociale do të bëhet dhe mbajtja në punë apo përfshirja në strukturat e reformës së thellë. Ajo ka konfirmuar se do të mbështeten kryefamiljarët, specialistët me eksperiencë, si dhe do të mbesin jashtë kompensimit nga shteti në rast përfshirjeje në reformë e të gjithë atyre punonjësve që kanë më pak se një vit punë në këtë sektor. “Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon daljen si të papunë e një pjese të konsiderueshme të punonjësve dhe trajtimin e tyre me pagë për një periudhë 1-vjeçare. Numri i punonjësve që do të përfitojnë nga zbatimi i vendimit të qeverisë do të jetë në varësi të të ardhurave financiare të shoqërisë”,- konfirmojnë burime zyrtare nga kompania “Albpetrol”, duke mos dhënë asnjë shifër konkrete të punonjësve që preken nga shkurtimet. Aktualisht numri total i punonjësve në sektorin e naftës është mbi 4000 dhe mesatarisht priten të shkurtohen jo më pak se 1000 punonjës. Kompania ka 4369 puse nga të cilat 2114 puse janë në punë, 1539 janë të fondit të ndalur dhe 716 mbahen nën vëzhgim. Gjithçka ka ardhur pas një marrëveshjeje që “Albpetrol” ka bërë me kompanitë e huaja të prodhimit të naftës që operojnë në vendin tonë për dhënien me koncesion të një numri të konsiderueshëm pusesh.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›