E Diel, 1 Nëntor 2026

Gordon takim me Gruevskin: Të zgjidhet "emri"


Ndihmës sekretari amerikan Filip Gordon është takuar mbrëmjen e së enjtes në Zagreb me kryeministrin Nikolla Gruevski ku kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe zgjidhjen e kontestit të emrit. Zyrtari i lartë i administratës amerikane personalisht i ka bërë me dije Gruevskit që të zgjidhet kontesti i emrit në një kohë sa më të shpejtë, me qëllim të zhbllokimit të procesit të anëtarësimit të vendit në strukturat euroatlantike. Detaje nga takimi një orësh midis Gruevskit dhe Gordon që u zhvillua në Hotel Esplanda në Zagreb nuk janë dhënë, përveç një komunikate zyrtare nga Qeveria e Shkupit. Në komunikatë theksohet se Gruevski ka informuar për reformat që ka bërë Qeveria në drejtim të përmbushjes së standardeve evropiane dhe euroatlantike. Në këtë takim është biseduar edhe për incidentet e fundit, ku dy bashkëbiseduesit kanë konstatuar se procesi politik duhet të bazohet në principet demokratike, dialogun institucional dhe politik, si dhe zbatimin e sundimit të së drejtës", theksohet në komunikatën e Qqeverisë. Kryeministri Gruevski edhe sot do të qëndrojë në Zagreb ku do të jetë i pranishëm në takimin rajonal të shefave të Qeverive në kuadër të takimit vjetor të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ndihmës sekretari amerikan Filip Gordon zhvilloi të enjten takime në Shkup me presidentin Georgje Ivanov, kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe ate të LSDM-së, Branko Cervenkovski.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›