E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gorovelli, talenti shqiptar që synon “X-Factor”

Një vit më parë trupi i tij luftonte me vdekjen, tani trurin e talentit shqiptar e gërryen ëndrra e këputur në mes për t’u bërë “X-Factor” në Britaninë e Madhe. 

Pikërisht, një vit më parë, mjekët e kishin paralajmëruar Petrit Gorovellin, piktorin dhe këngëtarin talent shqiptar nga Lushnja, për jetën e tij në udhëkryq. Ndërsa, ai atëherë, po aq edhe sot kishte dhe ka ende vetëm këto fjalë në mendjen e tij: “Jeta është dhuratë nga Zoti, dhe vetëm Ai është përgjegjësi i saj. Njeriu s’është asgjë më shumë se sa një mbartës i saj… Ndaj synimi dhe vendosmëria e bëjnë më të lehtë që njeriu të sfidojë prapësitë e jetës dhe peripecitë e saj”. Dhe kështu ai jo vetëm që nuk ia vuri veshin paralajmërimit të bluzave të bardha, por vendosi të sfidonte edhe frikën që mbin damarëve të jetës, përpos këtij paralajmërimi. Vazhdonte punën si piktor rruge pasditeve, deri vonë në Leicester Square, dhe ndërkohë mendonte të realizonte ëndrrën e tij të kahershme, që lidhej me talentin e tij të dytë si këngëtar. Një ditë të bukur qershori të 2007-ës ai iu bashkëngjit ushtrisë së madhe të “X-Factor” në Highbury të Londrës. Aty arriti të kalonte dy raundet e para pa ndonjë problem. Komisioni i thjeshtë i seleksionimit i dha atij të drejtën e mëtejshme menjëherë. Në raundin e tretë ai ra në sy të Sharone Osborne, njërës prej anëtarëve të komisionit kryesor. Petriti na thotë, se Sharone ishte ajo që më pas insistoi që të vazhdonte këmbënguljen e tij. Ai na shprehet: “Sharone më thoshte, ti je talent dhe duhesh përkrahur. Kënga nuk njeh komb, nuk njeh individë, por vetëm talente dhe talente si ju janë pak në këtë botë”. Më pas nga biseda me Petritin mësojmë se, ajo u bë edhe një dashamirëse dhe shtytëse e talentit shqiptar, Gorovelli, që ai të vazhdonte më tej.
Arritja
Që nga ardhja në Britani të Madhe, Petriti iu përvesh punës duke u ushqyer me talentin e tij. Veten e gjeti në mesin e konkurrencës së tregut të lirë të piktorëve të rrugës në Leicester Square. Aty ai punoi dhe punon brenda ligjeve të shtetit britanik, brenda ligjeve të Londrës. Ndërkohë një grimë tjetër talenti i ziente përbrenda Petrit Gorovellit. Ishte një grimë që lidhej me talentin e tij të hershëm të këngëtarit. Kështu në heshtje ishte dashuruar me këngën. Në këtë dashuri të heshtur ai ngulmoi sërish në heshtje. Ngulmoi derisa gjeti dy specialistët e muzikës rrok. Profesionalistët britanikë me emër në këtë gjini të muzikës, Aron Smith dhe Guns N’Roses, i dedikuan talentit të tij kohë të veçantë kur panë se zëri dhe timbri i Gorovellit premtonte. Kështu ai nisi stërvitjen e zërit, instruktimin dhe madje edhe ndjekjen e një kursi me ta. Kur dy specialistët britanikë u bindën plotësisht tek arritjet e talentit shqiptar, ata i këshilluan dhe i sugjeruan rrugë të reja. Midis këtyre rrugëve ishte edhe regjistrimi në “X-Factor”. Mirëpo para se Gorovelli të ndërmerrte iniciativën të trokiste në procedurat ligjore të “X-Factor”-it, dy specialistët britanikë i rekomanduan atij këngën “Don’t Cry” si një këngë që i përshtatej talentit të tij. Gorovelli e zotëroi këngën shumë mirë dhe pasi u bindën të dy palët ai trokiti në Highbury të Londrës, pikërisht aty ku radhët e gjata të pretenduesve të “X-Factor”, kishin marrë përmasa galoponte. Ai nuk u pezmatua dhe pranoi të priste radhën e tij, derisa u dëgjua emri i tij për konkurrimin e parë, pastaj të dytë e të tretë…
Shkëputja
Teksa çdo gjë shkonte mirë dhe bukur shëndeti i Gorovellit po jepte shenjat ndryshe. Atëherë Gorovelli e kuptoi se fjala e bluzave të bardha nuk ishte shaka. Ndërsa ai kishte kaluar raundin e tretë në Highbury, duke lënë pas të disiluzionuar mijëra të tjerë, që largoheshin nga komisioni seleksionues, një interesim të veçantë nga komisioni i përbërë nga Simon Cowell, Danny Menague dhe sidomos nga Sharone Osborne ra në sy menjëherë. Ishte fjala e Sharone Osborne që e mbajti shpresën e Gorovellit të mbështjellë në ëndrrat e netëve të gjata, teksa ai kishte përfunduar në spital. Osborne, vijon Gorovelli, më thoshte: “Ti je talent, je i mrekullueshëm, ndaj mos e humb besimin. Një ditë do të fitosh…”. “Dhe unë kështu mbeta, ditë e muaj të tërë me ankthin e sëmundjes dhe ëndrrën e këputur në mes. Sëmundja më vuri poshtë për një kohë, më ranë flokët dhe trupi po tretej përditë e më shumë. Por për çudi se ç’kisha një ndjesi dhe një shpresë nga brenda vetes se ç’do gjë do të kalonte shpejt. Në fakt ashtu ndodhi. Me shërbimin e kualifikuar të spitalit një ditë pashë fytyrat e qeshura të doktorëve. Ata kishin ndërruar mendje. Ishte buzëqeshja që më shënonte pikënisjen e jetës së dytë…”, shprehet ai.
Këmbëngulja
Ndërsa Gorovelli jeton jetën e dytë, ëndrra për të shkëlqyer në “X-Factor”, nuk e lë të braktisë edhe pasionin e hershëm. Kështu ai sërish ka gjetur fjalën dhe ndihmën e specialistëve. Dhe tashmë ka një këngë të re. Është kënga “Bella dona”. Këtë këngë ai e pëlqen dhe ka filluar ta ndjejë më tepër, teksa disa vargje të saj lidhen me virtytin njerëzor, me arritjen, prekjen dhe madje edhe me dashurinë e urrejtjen njerëzore. Janë pikërisht vargjet: “Jashtë arritjes, jashtë prekjes, si mësove të urresh kaq shumë”, që i sjellin nëpër mend antitezën e jetës, metaforën e jetikes.              f.t

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›