E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksavi: Ndaj Gjermanisë, sfidë për jetë a vdekje!

Ksavi Hernandez, mesfushori i Barcelonës dhe i përfaqësueses spanjolle, është padyshim ndër lojtarët kryesorë të “furive të kuqe”. 

 Pikërisht te ky futbollist, tekniku Luis Aragones ka mbështetur drejtimin e lojës së skuadrës së tij. Këtë e konfirmon edhe sfida gjysmëfinale kundër Rusisë, ku goli i parë i shënuar prej tij i dha një tjetër ritëm formacionit spanjoll. Gjithsesi, për Ksavin, dita e sotme do të jetë më e rëndësishmja, pasi një humbje me Gjermaninë do të hidhte poshtë të gjithë mundin e skuadrës për të arritur deri në finale.
Ksavi, a mund t’i përshkruani me fjalë ato çka ju dhe shokët tuaj të skuadrës ndjeni në prag të një sfide të tillë?
Sigurisht që është një arritje shumë e madhe për ne. Kemi shfrytëzuar në maksimum shanset tona për të mbërritur deri në këtë pikë dhe tashmë na ndajnë vetëm 90 minuta nga fundi i një aventurë të mrekullueshme, ku shpresojmë që në përfundim të jemi ne ata që do të triumfojnë. Pavarësisht se jemi të vetëdijshëm se historia nuk është nga ana jonë, jam mjaft i bindur në forcën e këtij grupi.
Ndaj Gjermanisë do të keni një mungesë të rëndësishme si David Vila, ndërkohë që thuhet se në vend të tij do të jetë Fabregas. Si ju duket një zgjedhje e tillë e Aragonesit?
Vila është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë, ndaj më vjen vërtetë keq për të që do të mungojë në ndeshjen më të rëndësishme të këtij kompeticioni. Megjithatë, mendoj se në grupin tonë kemi lojtarë të aftë për ta zëvendësuar atë. Fabregas është njëri prej tyre dhe besoj se do të jetë një zgjedhje e shkëlqyer. Gjithsesi, për më tepër, duhet të pyesni Aragonesin. E rëndësishme është që skuadra të jetë e përqendruar në maksimum për këtë sfidë.
Mendoni se Torres mund ta përballojë i vetëm forcën e sulmit tuaj?
Pse jo, por nga ana tjetër do të ketë ndihmën e gjithë mesfushës, po ashtu edhe atë të mbrojtësve, nëse do të jetë e nevojshme. Tek Liverpuli, ai luan i vetëm në sektorin e sulmit dhe sigurisht që golat nuk i kanë munguar. Gjithsesi, në një ndeshje të tillë, vendimtare do të jetë shfrytëzimi në maksimum i shumicës së rasteve për shënim që do të krijojmë.

“Fitojmë ne, sepse jemi më të fortët”

Luis Aragones e pret i qetë finalen e ditës së sotme kundër Gjermanisë, pasi është shumë i bindur në forcën e skuadrës së tij. Paraqitjet deri në finalen e Vjenës janë faktet konkrete se skuadra e tij është favoritja kryesore për arritjen e këtij suksesi, që për “furitë e kuqe” do të jetë një trofe historik. “Unë jam i sigurt se Spanja do ta fitojë këtë finale, sepse thjesht jemi më të mirët, - deklaron tekniku Aragones në intervistën e tij të fundit në prag të sfidës me Gjermaninë. – Që nga momenti i parë që ky turne ka filluar, kemi qenë gjithmonë të bindur në forcat tona, prandaj në fushë kemi zbritur me objektivin e vetëm për të kërkuar suksesin. Pikërisht për këto arsye nuk kemi pse t’i frikësohemi Gjermanisë, pavarësisht se historia flet më shumë në favor të saj. Vila ka qenë thjesht i pafat në atë moment. Zëvendësuesi? Nuk kam vendosur ende për këtë”, thotë kreu i pankinës spanjolle, Aragones.

Spanja pret të përsëritë Euro 1964
Spanjollët e drejtuar nga Luis Aragones rikthehen në finalen e një kampionati evropian, pas 24 vitesh, ekzaktësisht nga finalja e Euro 1984, organizuar në Francë, në një ndeshje ku, “furitë e kuqe” duhet t’u dorëzoheshin përfaqësueses vendëse në shifrat 2-0, me gola të yllit të kombëtares së “gjelave” dhe kreut aktual të UEFA-s, Mishel Platini dhe një goli të Belon në minutën e 90. Pas atij viti, Spanja nuk ka mundur më të shkëlqeje në turne të tilla, duke mos harruar të kujtojmë suksesin në Evropianin 1964.
1. Spanjë - Rusi 4-1
Sfida e parë në grupe për spanjollët ka qenë thjesht një shëtitje e bukur për djemtë e Aragonesit, të cilët kanë gjunjëzuar me një rezultat të thellë rusët e Gus Hidink. Tri gola të David Vilës dhe një i Cesk Fabregas kanë mjaftuar për të siguruar tri pikët e parë në Grupin D për “furitë e kuqe”.
2. Spanjë – Suedi 2-1
Ashtu si në ndeshjen e parë, Spanja nuk i ka zhgënjyer parashikimet, ndonëse suksesi ka mbërritur në minutën e 92 të takimit, pas një goli të mrekullueshëm të David Vilës. Më parë shënonin Fernando Torres për spanjollët dhe Zlatan Ibrahimoviç barazonte përkohësisht rezultatin e takimit.
3. Spanjë – Greqi 2-1
Ndonëse, dy sukseset e para i kishin kualifikuar matematikisht spanjollët për në çerekfinale, djemtë e Aragonesit nuk kanë falur as në sfidën e fundit të grupeve kundër kampionëve të Evropës në fuqi, pas dy golave në pjesën e dytë të Kazorlës dhe Guiz.
4. Spanjë – Itali
0-0 (4-2/p)
Në çerekfinale, Spanja do të kishte përballë kampionët e botës, të cilët kualifikoheshin me shumë vështirësi nga faza në grupe. Spanjollët nuk arrinin të fitonin me italianët që prej 88 vitesh dhe deri në përfundim të 90 minutave dhe kohëve shtesë, duket se një tabu e tillë do të vazhdonte, por saktësia e shfaqur nga lojtarët e Aragonesit nga pika e bardhe e penalltisë, bëri që spanjollët të kualifikoheshin për në gjysmëfinale.
5. Spanjë – Rusi 3-0
Ndonëse Rusia kishte bindur me paraqitjet e saj në tri sfidat e fundit, Spanja, ashtu siç kishte bërë edhe në ndeshjen e parë të grupeve, ka shkatërruar rusët me rezultatin 3-0, pas golave të Ksavit, Guizës dhe David Silva.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›