E Shtunë, 31 Tetor 2026

SUPERMASHTRUESJA Mimoza Ujka, shfaqet si gjykatëse në Itali

 

Ferdinand Dervishi

Mimoza Ujka, vajza me shtatë klasë arsim nga Velipoja e Shkodrës, e njëjta që në vitin 1996 mashtroi pothuaj gjithë stafin e Prokurorisë së Tiranës, ka dalë sërish në skenë. Por këtë radhë viktima të mashtrimeve të saj nuk janë më shqiptarët. Përvoja ka bërë të sajën. Piaca është ngritur. Këtë radhë të mashtruarit janë qytetarë italianë, pasi Mimoza prej disa vitesh jeton në Romë, ku ushtron edhe më me sukses zanatin e vjetër. Për herë të fundit në mediat shqiptare Mimoza u shfaq më 21 maj 1999, kur u arrestua pasi dy kosovarë e akuzuan se u kishte marrë me anë të mashtrimit 2850 marka gjermane duke premtuar viza hyrëse për në Itali. Më tej pothuaj asnjë lajm. Vajza që në këtë kohë ishte 25- vjeçare bëri një vit burg, ditë më ditë, dhe më pas u zhduk. Lajmi i fundit thoshte se ishte parë në shoqërinë e disa oficerëve të ushtrisë italiane në shkallët e Pallatit të Kongreseve...
Nëntë vjet më pas, ose një muaj më parë, një zë i ndrojtur femre dëgjohet në telefonin celular.
-Flisni italisht?
-Mendoj se po”.
-Unë ju flas nga Roma, jam një qytetare italiane dhe njëkohësisht e mashtruar nga Mimoza Ujka, e njëjta për të cilën lexoj në internet shkrimet tuaja. Madje deri para një viti në një nga faqet e internetit, sipër shkrimit, ka qenë edhe një foto e saj. Bëj fjalë për të njëjtin person. A mund të më thoni ju lutem se si ka mundur të fitojë azilin politik, përse e ka llogarinë bankare në Zvicër të bllokuar, vepron e vetme apo ka një organizatë kriminale pas shpatullave...? Të lutem të mos e bësh fjalë me ndokënd për çfarë po të rrëfej dhe të mos më shpërdorosh emrin...
Njeriu në anën tjetër të telefonit shfaqet konfuz dhe i terrorizuar.
-Mimoza Ujka është me sy bojëqielli, jo më shumë se 160 centimetra e gjatë...
-E njëjta është, e njëjta. E kemi denoncuar para dy vitesh. Por problemi është se për mashtrimet këtu Prokuroria e merr me nge...
-Po si ju ka mashtruar?
-Histori e gjatë. Na premtoi të na gjente në Romë një banesë me çmim të reduktuar...
Të shkruash për mashtrues ndonjëherë të kap dyshimi se dikur ata do ndalen paksa dhe do të gjejnë kohën të merren edhe me ty. Kështu që, të të peshkojnë ka shije të keqe, ndërsa kjo, e përfytyruar, të bën të jesh vigjilent.
-Si mund të na e vërtetoni se është e njëjta. A keni një foto të saj të kohëve të fundit?
-Patjetër. Do jua dërgoj, madje do ju dërgoj edhe një kopje të dëshmisë që përgatita ta rrëfej para kamerave të RAI (Radio-Televizioni Italian). Ata më kanë ftuar.
Fasada perfekte
Provat mbërrijnë me e-mail-in e radhës. Janë tre fotografi ku Mimoza Ujka, tashmë 36-vjeçare dhe shumë larg pamjes së një vajze, e deformuar nga shëndeti, pozon në qendër të grupit, me të gjithë atributet vizive të një lideri. Veç saj, të gjithë janë qytetarë italianë. Hetimi i vështrimit të një personazhi që e njeh mirë Mimoza Ujkën do të dallonte më tepër në të njëjtat foto. Duke lexuar mes tyre edhe një kapardisje, e ngjashme me pamjen që mund të përfytyrohet kur një sarhosh bën rrush e kumbulla pasurinë e tjetrit dhe në fund i jep një mendje të lehtë, apo më keq akoma, i sheh të gjithë nga lart-poshtë me qesëndi e përtallje. Kjo është pamja, përmes fotove, kuptohet. Ndërsa që të arrinte në këtë pamje, Mimozës i është dashur kohë e punë. Gjithsesi një “punë” e ndërtuar mbi një eksperiencë të vjetër dhe të suksesshme. Edhe në Romë, Mimoza, sipas rrëfimit të italianes së mashtruar, është kujdesur të realizojë një fasadë perfekte. Dhe nëse në Tiranë dikur hiqej si oficere policie dhe si e mikeshë e bashkëshortes së ish-Presidentit Sali Berisha, në Romë vijon e njëjta skemë. Sigurisht që italianët nuk mund të mashtroheshin lehtë nga një shqiptare që pikësëpari kalon nëpër filtrat e paragjykimit. Strategjia lipsej të ishte perfekte. “Mimoza më ka rrëfyer se punonte pranë Bashkisë së Romës dhe se zyrën e kishte ngjitur me atë të ish-kryebashkiakut Walter Veltroni, me të cilin thoshte se kishte shumë miqësi. Sigurisht që ishte një gënjeshtër. Gjithmonë më rrëfente, pa ja kërkuar, se njihte nga afër një numër personalitetesh të politikës dhe të botës së spektaklit. Madje më ka thënë se për një kohë ka punuar edhe në Presidencën Italiane”, shkruan e mashtruara. Natyrisht që gënjeshtra të tilla nuk bindin askënd, nëse nuk shoqërohen me garniturë ndihmëse. “Mimoza u thoshte të gjithëve se kishte qenë gjykatëse në Shqipëri dhe u prezantohej: Jam Doktoresha Mimoza Ujka (Sono la Dottoressa Mimoza Ujka). Nëse dikush kërkonte shpjegime, ajo shtonte se nga Shqipëria e kishin përzënë për shkak të bindjeve politike, se në Itali për këtë shkak kishte fituar azil, se për azilin e kishte ndihmuar Konventa e Gjenevës dhe kur kurioziteti nuk shuhej as këtu, shtonte se kishte miqësi familjare edhe me Kryeministrin Sali Berisha. Ndërsa nëse biseda zhvillohej në banesën e saj luksoze, në rezidencë apo hotel, ajo u rrëfente “miqve” edhe libra të ndryshëm të profesionit, sidomos kodet civile e penale. Madje, ajo thoshte se së shpejti të njëjtin profesion, atë të gjykatësit, do ta ushtronte në Itali, menjëherë pasi të shërohej nga sëmundja e rëndë e leucemisë”, citon e njëjta. Por fasada nuk mbaron këtu. Sipas denoncueses italiane, në polici padia është depozituar më 31 qershor 2006, Mimoza thoshte se kishte në pronësi të vetën dy dyqane (butikë) në Romë, se të hollat nuk ishin kurrë një problem për të etj. Por rrezatimi fals nuk ndalej në asnjë moment. “Në shoqërinë time shkonte të bisedonte me ndërtues të ndryshëm dhe gjithmonë interesohej të blinte apartamente luksoze, vlera e të cilëve në asnjë rast nuk binte nën 300 mijë euro. Në një rast, madje e kam shoqëruar Mimozën në Ministrinë e Brendshme në Romë. Pretendonte se Kuestura e Romës nuk i po i jepte pasaportën, pasi i duhej të shkonte në Spanjë për të ndjekur “All American’s Cup”, (garat me jahte e vela, organizuar në Valencia në prill 2007). Në ambientet e ministrisë ajo takon dy zyrtarë të lartë, të cilët i premtojnë se pasaporta do i kthehet sa më shpejt. Dhe kështu ndodhi...”, rrëfen i njëjti personazh, që shton se i ka mbetur në mendje edhe një mashtrim tjetër me shëndetin i Mimozës, të cilin nuk e ka kuptuar kurrë se përse i shërbente. “Thoshte gjithmonë se është e sëmurë me leucemi dhe se bënte kimioterapi. Në një rast unë vetë e kam shoqëruar në spital për të bërë një seancë...”
Të gjitha këto përbëjnë gjithsesi atë ndërmarrje që mund të quhet ndërtim i pjesës më të dobët të fasadës. Pasi pikërisht këtë pjesë verifikimet e thjeshta mund ta rrëzojnë. Por Mimoza në këtë moment përballë viktimave të veta ka ofruar edhe spektaklin e mundësive të saj lehtësisht të provueshme, edhe pse sërish gjithçka shkon në favor të fasadës. Kështu ajo ishte kujdesur që të rrezatonte gjithandej njeriun për të cilin vetëm të hollat nuk janë problem. Mimoza vishej me rroba të blera në butikët më të shtrenjtë, madje i blinte ato në shoqërinë të viktimave të veta. Të cilët shumë vonë do e kuptonin se gjithë shfaqja po realizohej me të hollat që ajo u kishte marrë duke i mashtruar. Futej në butikë të kategorisë “Valentino”, “Prada”, “Gucci”, “e via dicorrendo” (largohej duke biseduar, pa e vrarë ndërgjegjja). Gjithashtu ajo posedonte një autoveturë luksoze, mbante shofer privat, jetonte në rezidencat dhe hotelet më të shtrenjtë të Romës, të gjithë njerëzit që e rrethonin i drejtoheshin me “Doktoresha”... Këtu fasada kompletohet, madje blindohet. Hapi i dytë, mashtrimi, ai më i rëndësishmi, tashmë e ka derën të hapur. 
Mashtrimet
Mimoza ka qenë edhe në Shqipëri eksperte të dallonte “fytyrat që e kishin një hall”. Sidomos kur sillej më 1996 në ambientet para Prokurorisë së Tiranës për të gjetur viktimën e radhës, pasi më parë kishte bindur prokurorët se edhe ajo ishte një prej tyre. Po kështu, në Romë, shumë shpejt Mimoza konvertohet në shpëtuesin, mirëbërësin e të gjithë atyre që e kishin një hall. Sepse “per lei la parola ‘impossibile’ non esisteva” (për të fjala ‘e pamundur’ nuk ekzistonte). Dhe të gjithë njerëzit e kanë një hall të pambaruar në jetë. Një të riu i duhet një punë, një tjetri një banesë dhe një të treti, të dyja bashkë. Halli që kishte, apo më saktë synimi që kishte personazhi ynë ishte që dikur të kishte një banesë në Romë dhe sigurisht edhe një vend pune. Të gjitha këto zgjidhen si me magji nga Mimoza. “Punë të siguroj unë, në njërin nga dy dyqanet që kam në pronësi. Po kështu edhe banesë, madje me çmim të lirë, nga ato që dalin në ankand, pasi unë kam akses. Bëhet fjalë të kesh shtëpinë tënde me gjysmën e çmimit të tregut...”, ka qenë premtimi karrem. Dhe personazhi ynë, banor në një zonë në jug të Italisë, bindet. E ardhmja i duket e bardhë, madje gjithçka i duket sikur ka marrë udhë me anë të frymës së shenjtë. “Më ftoi në Romë bashkë me të dashurin tim, duke më premtuar punë dhe një apartament që më pas e kuptuam se nuk ekzistonte. Ndërkohë që rrinin aty, ajo organizoi ditëlindjen e saj, më 08. 02. 2006, në një ambient të “Hotel Radisson S.A.S” në Romë, ku për një natë dhoma teke kushton 100 euro. Ishte një festë luksi që na bëri të besonin edhe më tepër se shoqëria me Mimozën ishte një okazion për të sistemuar jetët tona. Por menjëherë më pas gjithçka u shemb para syve tanë.
Mimoza na kërkonte vazhdimisht të holla, të cilat sipas saj i duheshin për të paguar rikonstruksionin e apartamentit të premtuar si dhe shpenzimet noteriale. Shpesh të hollat nuk i kishim, por ajo insistonte deri në fund. ‘Quando non riusciva ad ottenere il denaro, piangeva, faceva la vittima’ (kur nuk ja dilte të merrte të hollat qante, luante viktimën). Kur zbuluam se na kishte mashtruar, shuma kishte rrumbullakosur shifrën 60 mijë euro. Menjëherë i kërkuam të na kthente të hollat. Në fakt që të gjitha ja kishim dhënë kesh në dorë, por duke u kujdesur gjithsesi të na firmoste një mandat. Fillimisht na tha se do na i kthente, ndërsa më pas u tërhoq, madje u zhduk. Të shokuar nga sa na ndodhi kërkuam në internet me emrin e saj dhe gjetëm shkrimet tuaja, të cilat i përkthyem. Falë tyre mësuam të gjithë të vërtetën. Menjëherë pajtuam një avokat dhe më 13 qershor 2006 bëmë padinë në Prokurori për vjedhje me anë të mashtrimit. Por Prokuroria jonë në kësi rastesh e merr shumë me ngadalë”, shkruan viktima e shqiptares Mimoza. Dredhia e radhës e Mimozës ka qenë tentativa për të frenuar sadopak procesin e nisur kundër saj. Ka kapur edhe ajo një avokat (Avv. Virginio Manfredi Frattarelli, via Carlo Mirabello, 6 Roma), i cili ka ndërmjetësuar duke premtuar kthimin e të hollave me kusht tërheqjen e denoncimit. “Por Mimoza në këtë rast ‘ha truffato anche il suo legale’ (mashtroi edhe avokatin e vet)”, shkruan e njëjta, pa e ditur se edhe në Shqipëri avokatët e Mimozës nuk kanë përfituar prej saj kurrë asnjë kacidhe. 
Me gisht në gojë
Me kalimin e ditëve në adresë të viktimave të saj vjen më shumë informacion. Ata vetë janë të interesuar ta kenë, duke menduar se përmes tij mund të gjejnë mënyrën për të shkuar te një rrugëzgjidhje. Shpejt mësojnë se Mimoza është mospaguesja e rregullt e të gjithë ambienteve ku strehohej. Ajo nuk paguante faturat e hoteleve luksoze, apo edhe të rezidencave që i duheshin për të plotësuar fasadën e duhur. Rezidenca në Romë në fakt është përdorur prej Mimozës për një kohë më të gjatë dhe pas ikjes së saj pa paguar, i zhgënjyer nuk kishte mbetur vetëm pronari, por edhe e gjithë familja e tij, me të cilën Mimoza kishte gjetur kohën të miqësohej. Në një tjetër rast të njëjtët zbulojnë se Mimoza kishte vjedhur e vetme një dyqan bizhuterie në Romë dhe se vlera e bizhuve dhe orëve kapte shumën 27 mijë euro. Por më e madhja vjen më pas. Në korrik 2007 Mimoza arrestohet në qytetin e luksit dhe bixhozit, në Montekarlo. Policia e kishte zbuluar teksa paguante me çeqe false makinat e shtrenjta të marra me qira. Arrestimi ishte bërë në dhomën e saj në hotel dhe dënimi, i kryer i plotë, ishte gjashtë muaj burg. Por viktimat e Mimozës janë përpjekur që të gjejnë edhe aleatë. Nga ata që e kanë pësuar prej saj dhe që janë të predispozuar për të ndihmuar kauzën e përbashkët. Kështu në Romë ata gjejnë edhe një polic, i cili për një periudhë kohore kishte bashkëjetuar me Mimozën. Edhe këtij dashnori fatzi, mashtruesja nga Velipoja e Shkodrës i kishte përlarë 30 mijë euro, duke marrë makina me qira e duke paguar të gjitha shpenzimet e tjera me kartën e tij të kreditit. Por polici, edhe pse i vënë në dijeni të historisë shqiptare të ish-mikeshës së vet, tërhiqet. Mbase sepse i frikësohej publicitetit, në këtë rast negativ. Me rreth 60 mijë euro mangët në llogaritë e tyre bankare dhe përballë zvarritjes së hetimit të Prokurorisë, personazhet e kësaj historie, tentojnë të flasin në televizion. RAI (Radio Televizioni Italian) i mirëpret. Por tërhiqen në momentet e fundit, kur pikërisht nga goja e atij pronarit të rezidencës, viktimë të Mimozës, mësojnë se shqiptarja është shpallur në kërkim si e përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh. Më saktë frikësohen, pasi mendojnë se pas saj mund të qëndrojë një organizatë e mirëfilltë kriminale. Më tej lidhen me gazetarët që kanë shkruar historitë shqiptare të Mimozës duke rreshtuar të parën fare pyetjen: A ka të ngjarë që pas saj të fshihet një organizatë e fuqishme kriminale? Pra nuk e dinin se mashtruesit veprojë vetëm, ose bashkë me të tjerë, por edhe në këto raste punojnë vetëm për vete. Pa pasur askënd mbi kokë. Nuk e dinin se mashtruesit nuk shkojnë kurrë në nivelin e atyre që përdorin dhunë, përkundër nuk do mashtronin, por do vrisnin. Dhe për Mimoza Ujkën, shqiptaren nga Velipoja e Shkodrës, me shtatë klasë arsimim, nuk ka të dhëna se di të bëjë më shumë se vjedhja. Një vjedhje që ajo e ngre në nivelin e artit, nëse do të kishte një sistem vlerësimi.
PS: Pas daljes nga burgu i Montekarlos, në dhjetor të vitit të kaluar, Mimoza është kthyer sërish në Romë ku ka nisur më me babëzi se kurrë ‘ingannare tanta, tanta gente’ (të mashtrojë shumë, shumë njerëz).  

Shënim: Menjëherë pas publikimit në televizionin italian (RAI) të dëshmisë së italianes së mashtruar nga Mimoza Ujka, “Panorama” do ta botojë atë të plotë. 

Mimoza Ujka, si futi në lojë Prokurorinë e Tiranës më 1996

Po të njohësh historinë shqiptare të Mimoza Ujkës, mbase nuk do të bëjë shumë përshtypje ajo italiane. Ose më saktë historia italiane do të të përthithet natyrshëm. Mimoza është vajza e një rojtari kishe në Velipojë, Kolec Ujkës. Ky, duke parë se e bija kishte marrë një rrugë pa krye, e kishte përzënë nga shtëpia. Kështu vajza nuk arrin të bëjë as shkollën tetëvjeçare. Nuk dihet se në ç’rrethana, por mashtrimet e para kanë nisur në Shkodër. Vajza nis të mashtrojë të interesuarit për viza të huaja si dhe për pajisje në kohë rekord me pasaporta për jashtë shtetit. Por shpejt, e denoncuar, bie në duar të policisë, arrestohet dhe bën 3 muaj burg. Menjëherë pas burgut ajo vendoset në Tiranë, ku nis të njëjtin zanat, por këtë radhë me më shumë sukses. Në Tiranë Mimoza vendoset në një shtëpi me qira pranë Qytetit Studenti. Ku për një periudhë të shkurtër, bën lëmsh gjithë lagjen, pa lënë jashtë edhe një pjesë të konvikteve të vajzave. Natyrisht që biznesi kryesor ishin përsëri vizat dhe pasaportat, por, sipas shumë dëshmive, ajo bënte bukur edhe zanatin e vjedhësit të rëndomtë. Nëse kishte probleme ajo hiqej si jetime dhe fatkeqe dhe e kishte fiksim që të mos paguante asnjë faturë. Nga ana tjetër, i pëlqente që kafen ta pinte në lokale të shtrenjta, si për shembull të “Bar Piazza”, në shoqërinë e njerëzve të zgjedhur, duke bërë rolin e kavalieres që paguante gjithmonë. Në këtë periudhe ajo fillon mashtrimin me pasaporta, duke u hequr si kushërira e një funksionari të policisë së Tiranës, që fatkeqësisht kishte të njëjtin mbiemër me të. Duke përdorur emrin e tij dhe u hequr si “vajza e xhaxhait”, ajo futet në zyrat e pasaportave nëpër komisariate, madje në një rast mashtron edhe qiradhënësit e saj, që ishin të njohur të tij. Në dhjetor 1996 Mimi bie në duart e policëve të Komisariatit nr.4 dhe shoqërohet për verifikim. Por këtë radhë shpëton, pasi në adresë të saj nuk sigurohet asnjë denoncim. Ka të dhëna se në këtë kohë, duke u hequr si funksionare e Ministrisë së Jashtme (në kohën kur ajo drejtohej nga Alfred Serreqi), ajo ka batërdisur disa punonjës të Ministrisë së Bujqësisë, të cilëve u premtonte (kundrejt shumave deri në 10 mijë USD) viza për në SHBA. Por goditja finale vjen në vitin 1996, kur Mimoza troket në zyrën e Kryeprokurorit të Tiranës dhe i paraqitet si oficere e Policisë Gjyqësore e sapoemëruar pranë kësaj prokurorie. Duke mashtruar se ministri i Brendshëm ndodhej jashtë shtetit dhe nuk kishte firmosur ende urdhrin, ajo i kërkon me sukses edhe një zyrë. Javën e parë vetëm përgatit terrenin. Lë përshtypjen se interesohej të mësonte nga profesioni. Kërkonte Kodin e Ri të Procedurës Penale, fletoret zyrtare etj. Me t’u sistemuar në zyrën e saj, në një kohë të shkurtër, e ndihmuar edhe nga gjuha e këndshme e dialektit shkodran, ajo arrin të bëjë miq shumicën e prokurorëve. Më tej hidhet në veprim. Peshkonte të gjithë hallexhinjtë që vinin në derë të Prokurorisë dhe u merrte të holla kundrejt premtimeve se do u zgjidhte punë, pasi kishte mik prokurorin e çështjes. Me kalimin e kohës ajo nis të mashtrojë edhe vetë prokurorët duke u marrë të holla për viza, kryesisht italiane dhe përsëri ka sukses. Besimi te prokurorët, se ajo realizonte ato që premtonte, arrihet përmes një shfaqjeje të pazakontë të Mimozës. Një ditë, teksa para Prokurorisë kalonte gruaja e ish-Presidentit Sali Berisha, që banonte aty pranë, Mimoza i hidhet në qafë si të ishte një mikeshë e vjetër e saj. Për këtë histori, të futjes në lojë të personelit të Prokurorisë së Tiranës, aty ku punonjësit paguhen për të futur në grackë të tjerët, një prokuror që e ka njohur Mimozën ka thënë: “Njëlloj sikur të futësh gishtin në folenë e grerëzave dhe ta shkatërrosh, pa mundur të të pickojnë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›