E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gra kundër : Liderja e myslimaneve, Reele

17/05/2005  Unë, makthi i Bin Ladenit

Zbaton me përpikmëri Ramazanin, por nuk fsheh homoseksualitetin e saj. Pas suksesit të librit të saj, shkrimtarja, që udhëheq lëvizjen për modernizimin e Islamit, kurorëzohet nga “The New York Times”

Irshad sapo e ka nisur projektin “Ixhtihad”: një qendër studimore për të rinjtë islamikë, e cila formon mendimtarë të lirë. “Çfarë do të kish ndryshuar, reflekton ajo, nëse Mohamed Ata të ishte edukuar për të bërë pyetje, në vend që të kultivonte siguri të thjeshta?” Kjo është arsyeja përse “The New York Times” e ka quajtur “makthi më i madh i Bin Ladenit”

Titullin maître-à-penser të reformatorëve myslimanë, ose më saktë lidere e asaj partie globale, e cila përmes internetit është duke organizuar një revoltë paqësore në gjirin e Islamit, ia ka dhënë “New York Times”. Eksperti më i madh i Lindjes së Mesme në të përditshmen amerikane, Thomas Friedman e ka quajtur Martin Luteri i Islamit. “Irshad Manji është një feministe myslimane kanadeze, 36-vjeçare, e cila ka guxuar të shkruajë një libër, i cili kërkon reformim të Islamit”, shkruan ai. Diçka shumë simbolike: Friewdman është hebre. Por, për këtë lezbike të deklaruar, e cila zbaton ramazanin dhe nuk ha mish derri, kredoja e editorialistit nuk ka qenë kurrë një problem. Përkundrazi, Irshad Manji i ka dashur gjithmonë mirëkuptimet fetare.

Në moshën 14-vjeçare, kur studionte në një shkollë kuranore në Richmond, pranë Vankuverit, guxoi t’i kërkojë profesorit të saj provat e të ashtuquajturit “komplot hebre” kundër Islamit. Hapu qiell! Profesori e përzuri. Dhe ajo u largua duke ulëritur: “Jezus Krisht”. Edhe sot e kësaj dite, Irshad nuk ka paragjykime: shoqja e saj është hebre. Dhe më 25 shkurt nuk hezitoi të shfaqet në një sinagogë në Florida.

Nuk ka asgjë për t’u çuditur në faktin që Irshad Manji udhëton me një eskortë të armatosur dhe ka dritare të blinduara në apartamentin e saj. E lindur në Ugandë, nga një baba indian dhe një nënë me origjinë egjiptiane, ajo u rrit në Kanada, ku shkoi bashkë me familjen në vitin 1972 për t’u larguar nga tmerret e diktatorit Idi Amin Dada. Në atë pikë u shenjua edhe fati i Irshad. Kanadaja, atdheu i multikulturalizmit, e edukoi me mendimin kritik. Dhe e bëri të hyjë në kursin e përplasjes me autoritetet islamike.

“Përse i quajmë hebrejtë dhe kristianët bij të majmunëve dhe derrave”, pyeste profesorët rebelja e vogël. Përgjigjet ishin dogmatike. E megjithatë, në vend që të braktiste fenë, ajo u përqëndrua në analizën e interpretimeve standarde të Islamit. Ndërkohë, u diplomua në histori dhe u bë një drejtuese brilante televizive. Por nuk pushoi së bëri pyetje. “Përse është e lehtë që myslimanët të zbresin në sheshe e të mos hiqet velloja, dhe është e vështirë ndërkohë që të zbresin po në këta sheshe kundër terrorizmit, kamikazeve apo dhunimit të grave”? Në vitin 2003, i shkruajti në letër të hapur popullit të Mohamedit. Dhe u bë polemistja më e madhe e botës islamike.

Pamfleti “Problemi me Islamin sot” është botuar në 15 vende, nga Brazili në Pakistan dhe tashmë do të botohet edhe në Irak dhe Liban. Ka një tezë të thjeshtë: “Duhet t’i japim fund totalitarizmit të Islamit. Në mënyrë të veçantë, dhunimit të të drejtave njerëzore të grave”.

Irshad fton myslimanët që të rizbulojnë “ixhtihadin”, traditën e mendimit të lirë: “Në periudhën mes 750 dhe 1250, çdo mysliman, mashkull apo femër, heteroseksual apo homoseksual, i ri apo i vjetër, mund të rishihte dhe përshtaste besimin e tij në dritën e zhvillimeve bashkëkohore”. Sot, kjo nuk ndodh më. Ajo që ishte një shoqëri e iluminuar është bërë tashmë antisemitiste dhe e tërhequr: “Merrni një vend islamik, për shembull, cilindo vend, dhe dhunimet më brutale do t’ju bëjnë t’ju trazohet stomaku”.

Fjalë të cilat zemërojnë mendimtarët islamikë. Ka nga ata që e quajnë një gënjeshtare imperialiste. Ka nga ata që thonë se u vjen keq që Idi Amin Dada nuk arriti ta eliminojë. Dhe nga ata që e dënojnë me vdekje. Një tjetër mendim kanë myslimanët kanadezë, afro 300 mijë shpirtëra të lirë, “të uritur për debate e diskutime” që rendin në masë në konferencat e saj.

Por nuk janë vetëm myslimanët kanadezë që e kanë zgjedhur Irshadin si udhëheqësene tyre shpirtërore. Në faqen e saj në internet mbërrijnë çdo ditë 200 mesazhe nga e gjithë bota. Më shumë janë admirues. “Jam një myslimane franceze”, shkruan Sylvie nga Parisi. “Mënyra jote e të menduarit nuk është refuzuese. Përkundrazi, ajo i hap edhe më shumë për diskutim çështjet”. Ndërkohë, ka nga ata që i bëjnë thirrje të konvertohet. “Je një grua kurajoze, i shkruajnë nga Pakistani, vazhdo të thuash të vërtetën, por të lutem përpiqu të ndryshosh orientimin tënd seksual”.

Mesa fansave të saj ka edhe italianë. “Kam mbetur i befasuar nga mënyra jote e të menduarit dhe të folurit qartë”, i shkruan Francesco nga Milano, nëna e të cilit është libaneze. “Nuk kam takuar kurrë një arab që të ketë kurajon të thotë ato që thua ti pa patur frikë. Faleminderit për atë që bën, Irshad”.

Por ka shumë për të bërë. Irshad sapo e ka nisur projektin “Ixhtihad”: një qendër studimore për të rinjtë islamikë, e cila formon mendimtarë të lirë. “Çfarë do të kish ndryshuar”, reflekton ajo, “nëse Mohamed Ata të ishte edukuar për të bërë pyetje, në vend që të kultivonte siguri të thjeshta?” Kjo është arsyeja përse “The New York Times” e ka quajtur “makthi më i madh i Bin Ladenit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›