E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Tragjedia e Selenicës”, gjykata shpall të pafajshëm të akuzuarit

17/05/2005  Përfundon gjykimi, reagon Prokuroria e Përgjithshme

VLORE - Pesë të akuzuarit për tragjedinë e Selenicës u shpallën të pafajshëm. Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë vendosi paraditen e djeshme, të rrëzojë kërkesën e organit të akuzës për të dënuar me 30 vjet burg gjithsej të pandehurit e tragjedisë së Selenicës, ku 7 vetë vdiqën dhe rreth 20 të tjerë mbetën të plagosur.

Pesë të pandehurit u përballën me akuzën kryesore, shkelje të rregullave të mbajtjes në punë me pasojë vdekjen e disa shtetasve dhe për ta ishte kërkuar 30 vjet burg gjithsej.

Ngjarja ka ndodhur më 23 shkurt të vitit të kaluar, kur në një galeri, në minierën e Selenicës në Vlorë, të marrë me koncesion nga një kompani franceze, ndodhi një shpërthim gazi metan, me pasojë vdekjen e shtatë personave dhe plagosjen e rreth njëzet të tjerëve.

Në seancën e djeshme të dhënies së vendimit, kryetari i trupit gjykues, Luan Hasani, tha se akuzat e prokurorisë nuk bazoheshin në fakte, pasi ngjarja kishte ardhur për shkaqe natyrore. Sipas trupit gjykues, pesë të pandehurit e çështjes nuk janë fajtorë për tragjedinë e Selenicës, pasi “ishte një aksident i ardhur për shkaqe natyrore” dhe ata nuk janë përgjegjës për atë që ndodhi në minierë, në një nga galeritë e saj.

Në seancën e djeshme përfundimtare, kryetari i trupit gjykues, Luan Hasani, hodhi posht kërkesën e akuzës për dënimin e të akuzuarve si shkaktar të tragjedis në minierë, duke deklaruar se, “nga hetimet, ndodhemi para një rasti fatkeq, ku pasoja ka ardhur e pavarur nga veprimet apo mosveprimet e të pandehurve, pavarësisht vullnetit të tyre. Të pandehurit nuk e kanë parashikuar plasjen, nuk e kanë dëshiruar atë, si dhe nuk kanë patur mundësi objektive dhe as detyrimin subjektiv për të parashikuar ardhjen e pasojës”.

Sipas tij, kësaj figure vepre penale i mungon dhe ana subjektive, nuk u provua gjatë gjykimit që të pandehurit të kenë kryer veprën me dashje.

Në vendimin e saj, gjykata tha se pesë të pandehurit janë të pafajshëm dhe të lirë, ndërkohë që shpenzimet e gjyqit, i kalojnë shtetit shqiptar.

Kryetari i treshes gjykuese deklaroi se prokurorja Liliana Gjonmemaj, në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare, kishte shpallur fajtorë, drejtorin Administrativ Patrick Pascal, nënshtetas francez si dhe punonjësit e tjerë të administratës së minierës koncesionare të Selenicës pranë qytetit të Vlorës. Prokuroria e Vlorës kishte kërkuar në seancën pararendëse që drejtori francez i minierës, Patrick Pascal, të shpallej fajtor dhe të dënohej me tetë vjet heqje lirie. Për drejtorin shqiptar të minierës së Selenicës, Gëzim Beqiri, u deklarua shpallja fajtor dhe u kërkua dënimi me shtatë vjet heqje lirie. Për të akuzuarin Nazmi Duraj, inxhinier për anën teknike, Faik Aliajn, matës i gazit në minierë dhe Fetah Danaj, përgjegjës i ndërresës së punës, prokurorja e çështjes, Liliana Gjonmemaj, kishte deklaruar se ata janë fajtorë dhe kishte kërkuar për ta dënimin secili me nga pesë vjet heqje lirie.

Gjatë seancës së fundit, para dhënies së vendimit të djeshëm, mbrojtja e të pandehurve, duke paraqitur konkluzionet e saj përfundimtare, deklaroi se i hidhte poshtë pretendimet e prokurorisë, duke thënë se i kishte zbatuar rregullat e sigurimit teknik dhe për këtë paraqitën një numër dokumentesh.

Në sallën e gjyqit dje nuk ishte i pranishëm vetëm francezi Patrik Paskal, që është edhe administratori i minierës së Selenicës.

Historia e tragjedisë

Ngjarja, e cila njihet si “Tragjedia e Selenicës”, ndodhi më datën 23 shkurt të vitit të kaluar, në minierën e Selenicës, rreth 15 kilometra larg qytetit të Vlorës.

Gjithçka ndodhi në orët e paradites, kur minatorët u futën në një nga galeritë e minierës. Në një moment dëgjohet një shpërthim që izolon brenda në galeri afro tridhjetë persona.

Pas përpjekjesh të shumta u arrit të dalin trupat e pesë të vdekurve dhe rreth njëzet të plagosurve, dy prej të cilëve vdiqën më vonë në spital.

Pas ngjarjes së rëndë, të plagosurit e mbijetuar u dërguan në gjendje shumë të rëndë në spitalin rajonal të Vlorës dhe disa prej tyre në Spitalin Ushtarak të Tiranës, si dhe në atë të Brindizit në Itali.

Në vendngjarje, grupet e posaçme të shpëtimit si dhe forca të policisë së bashku me helikopterë të NATO-s janë angazhuar në transportimin e të plagosurve në drejtim të Brindizit dhe Tiranës.

Policia mori një varg masash, duke ndaluar më 23 shkurt 2004, ora 23.00, dhjetë orë pas tragjedisë, shtetasin Patrik Zhanmar Paskal, 43 vjeç, lindur në Francë, administrator i firmës “Bitum Selenica”. Gjithashtu, poplicia arrestoi edhe Nazmi Duraj, 56 vjeç, banues në Vlore, me arsim të lartë, inxhinier teknik i minierës; Faik Mudil Aliaj, 50 vjeç, banues në Selenicë, matës gazi dhe Fetah Danaj, 42 vjeç, banues në Selenicë, përgjegjës turni.

Policia deklaroi se në këtë ngjarje, janë djegur nga 20 për qind deri në 90 për qind, punëtorët Rrapo Danaj, Josif Titi, Besim Barjami, Myzedin Hoxha, Fetah Danaj, Arben Danaj, Shkëlqim Rakipi, Enver Velaj, Lavdosh Elmazi.

Minatorët viktima

1. Mynyr Goraj, 50-vjeçë

2. Bardhosh Hyseni, 46 vjeçë

3. Enver Jaçe, 50 vjeçë

4. Refat Tozaj, 45 vjeçë

5. Asqeri Imami, 50 vjeçë

6. Eduart Mema, 30 vjeçë

7. Nuredin Haskaj, 42 vjeçë

Prokuroria e Përgjithshme do i drejtohet KLD

“Gjyka injoroi provat”

TIRANË - Prokuroria e Përgjithshme nuk pranon vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Vlorës për të pandehurit e tragjedisë së Selenicës. Pas vendimit të djeshëm, i cila i dha pafajësi të pandehurve për tragjedinë në minierën e Selenicës, ka reaguar edhe Zyra e Shtypit pranë Prokurorit të Përgjithshme. Sipas kësaj zyre, vendimi i dhënë ka injoruar provat dhe argumentet që ka paraqitur përfaqësuesi i akuzës. Në këto kushte vendimi është cilësuar si i pabazuar dhe, për rrjedhojë brenda afatit ligjor të 10 ditëve, ky vendim do të ankimohet nga Prokuroria.

Sipas njoftimit për shtyp, drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme janë në pritje të zbardhjes së vendimit të djeshëm të Gjykatës së Vlorës dhe paralelisht me të do të analizohet edhe dosja hetimore.

Pas këtij veprimi, krerë të organit qendror të akuzës pritet t’i drejtohen edhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi, sipas tyre, është i disati rast flagrant, kur gjykatat kanë dhënë pafajësi, duke injoruar në mënyrë të paargumentuar provat e akuzës.

Specialistët e drejtësisë pohojnë se të akuzuarve që morën pafajësinë, ligjërisht, u lind e drejta të kërkojnë dëmshpërblim që në vlerë monetare është më i lartë se sigurimi i jetës së minatorëve të vdekur e të plagosur. Sipas legjislacionit në fuqi, për shkak të vendimit për pafajësi që dha dje gjykata, shteti shqiptar duhet t’i paguajë dëmshpërblim për ditët që kanë kaluar në burg, pesë të pandehurve, pasi ngjarja u cilësua si një aksident.

Ndër pesë të pandehurit, shtetasi francez ka qëndruar në qeli nga 23 shkurti 2004 deri më 21 prill 2004, kurse katër të pandehurit e tjerë morën dje lirinë së bashku me pafajësinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›