E Hënë, 2 Nëntor 2026

Uzbekistan, përhapen trazirat

17/05/2005  Trazirat në Republikën e Uzbekistanit, në Azinë Qendrore, janë përhapur pas shtypjes së dhunshme të një demostrate në qytetin Andixhan ditën e premte. Turma të zëmëruara në qytetin Karasu përgjatë kufirit me Kirgiztanin i vuri zjarrin ndërtesave qeveritare dhe rrahën kryetarin e Bashkisë. Ata po ashtu rindërtuan dy ura për të lejuar kalimin dhe tregtinë e lirë me Kirgiztanin.

Trupat uzbeke kanë ngritur pika kontrolli nëpër rrugët që të çojnë në Karasu për të rrethuar zonën. Ndërkohë ministri i Jashtëm britanik, Xhek Stro, ka dënuar autoritetet uzbeke për përdorimin e forcës kundër demostruesve në Andixhan. Z.Stro tha se lipseshin standarde me të larta sjelljeje. Ministria e Jashtme uzbeke i hodhi poshte komentet, duke thënë se z.Stro ishte shumë larg për të ditur se çfarë po ndodhte. Ambasadori britanik në Uzbekistan është takuar me zëvendësministrin e Jashtëm dhe ka bërë thirrje për më shumë transparencë nga ana e qeverisë. Forin Ofisi, në Londër, tha se nga të dhënat e disponueshme konfirmoheshin njoftimet se qindra vetë ishin vrarë në Andixhan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›