“Infermierët me shkollë të mesme rrezikojnë punën”
Kualifikime për të ruajtur vendin e punës. Ky është apeli që urdhri i infermierit të Shqipërisë i bën personelit të mesëm. Sipas drejtuesve të tij, më të rrezikuarit nga reformat e pritshme janë infermierët me arsim të mesëm. Në fakt ata zënë jo pak por rreth 30% të numrit total të të punësuarve në sistemin shëndetësor. “Duhet t’i jepet rëndësi kryesore rritjes së nivelit profesional, autonomisë, komunikimit, sigurisë dhe saktësisë në veprime, zbatimit të ligjit dhe kodit Etik Deontologjik të infermierëve”, sqarojnë në një deklaratë për mediat drejtuesit e urdhrit të infermierëve. Sipas tyre është i rëndësishëm edhe vlerësimi e përfaqësimi i këtyre profesionistëve në të gjitha nivelet administrative. Në të gjitha spitalet dhe poliklinikat e vendit janë të punësuar rreth 12 mijë infermierë. Ministria e Shëndetësisë disa herë ka paralajmëruar reforma të thella, ku është parashikuar zëvendësimi i personalit me shkollë të mesme me ata me shkollë të lartë. Burime nga drejtoria e spitalit “Nënë Tereza” pohojnë se nevojat për të arritur në standardet që rekomandon OBSH-ja ngelen ende të mëdha. ”Do të këtë iniciativa të punësimit të infermierëve të rinj në këtë spital, por padiskutim ata do të jenë me shkollë të lartë, nuk do merren më në punë infermierë pa plotësuar këtë kriter”, sqarojnë burimet nga Drejtoria e QSUT. Ndërkaq mes vetë stafit reagimet janë të kundërta. Të vjetrit, shumë prej të cilëve nuk e kanë shkollën e lartë, pretendojnë se eksperienca e tyre dhjetëra vjeçare nuk mund të hidhet poshtë. Të rinjtë kërkojnë fort vende të reja pune. Kjo për hir të shkollës së lartë që kanë kryer. Ndërkohë, sipas urdhrit të infermierit, deri më 12 maj që është dita botërore e infermierëve në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit, spitalet dhe drejtoritë e Shëndetit Publik, do të organizohen seminare, trajnime dhe konferenca rajonale, në të cilat do të diskutohen dhe gjenden zgjidhjet mbi arritjet dhe sfidat që i përkasin kujdesit shëndetësor.