Grabisin në rrugë, arrestohen tre persona
SHKODËR- Vjedhjet me dhunë vazhdojnë të jenë të pranishme në rrugët e qytetit të Shkodrës dhe të dëmtuar prej tyre janë qytetarë të ndryshëm, kryesisht gra, të cilave u merren me force bizhuteri që i mbajnë në varura, apo çanta. Një rast i tillë ka ndodhur rreth orës 21.00 kur dy persona i kanë marrë me force një shtetaseje që po ecte në këmbë çantën, në të cilën ajo kishte 8500 lekë të reja, një telefon celular, një kartë banke dhe një kartë identiteti. Dy grabitësit, ndërsa ia kanë marrë çantën nga dora me dhunë, janë larguar me një mjet që drejtohej nga një tjetër person dhe që ndodhej në pritje të veprimit të tyre. Policia pasi ka marrë informacion mbi ngjarjen dhe të dhënat nga e dëmtuara që i ka parë grabitësit duke hipur në mjet, kanë mundur t’i ndalojnë ata në lagjen “Skënderbeg”, tek ish-fermentimi, teksa lëviznin me mjetin tip Benz me targë SH 7071 D, me drejtues 26-vjeçarin Gentian Larushku, banues në Shkodër. Gjatë kontrollit të mjetit policia ka gjetur dhe sekuestruar si prove materiale dhe sendet e vjedhura prej tyre. Po kështu janë arrestuar dhe dy bashkëpunëtorët Eduard Doçaj, 22 vjeç dhe Ndue Ndreshaj, 23 vjeç.