Ndalohet autori i vjedhjeve seriale
Gjirokastër- Efektivat e policisë në Gjirokastër kanë ndaluar një të ri të dyshuar si autor i një seriali vjedhjesh në qytetin e Gjirokastrës gjatë vitit 2010. Mes tyre përfshihet edhe grabitja me thyerje e shkollës 9 vjeçare “Urani Rumbo” në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, specialistët e Parandalimit dhe Hetimin të Krimit në Komisariatin e Gjirokastrës, kanë bërë ndalimin e 32-vjeçarit Skënder Haska, nga Gjirokastra, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të vjedhjes. “Në periudhën maj-dhjetor 2010 i ndaluari, i cili ka qenë i dënuar edhe më parë për vjedhje ka grabitur disa shtëpi banimi, lokale shërbimi, magazina biznesi etj. në qytetin e Gjirokastrës”, thonë burime në grupin hetimor. Sipas ekspertëve policorë, pjesa më e madhe e këtyre grabitjeve ka ndodhur me thyerje. I ndaluari, pasi thyente me forcë dritaret apo derën e godinave, hynte në mjediset e brendshme të tyre. Gjatë këtyre ngjarjeve ai ka vjedhur sende të ndryshme, materiale ushqimore, pije alkoolike, vegla pune etj. si edhe shuma monetare që në total kapin shifrën e 350 mijë lekëve. Madje, i ndaluari dyshohet të jetë edhe autor i vjedhjes së shkollës 9-vjeçare “Urani Rumbo”, ngjarje e regjistruar në datën 9 dhjetor 2010. Pasi ka hyrë në mjediset e brendshme të shkollës, i ndaluari ka marrë një kompjuter me gjithë aksesorët e tij dhe më pas ka vjedhur edhe dyqanin që ndodhet brenda ambienteve të kësaj shkolle. Gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij policia gjeti dhe sekuestroi një sërë sendesh të vjedhura si edhe mjete që ai përdorte për të kryer këto vjedhje, si maska, doreza, kaçavida etj.