E Diel, 1 Nëntor 2026

Populli të vendosë për statusin përfundimtar

03/04/2005  Kosumi, takon Alfred Moisiun, Servet Pëllumbin, Sali Berishën dhe Ilir Metën

Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, ka zhvilluar dje takime me Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe kryetarin e LSI-së, Ilir Meta. Duke vlerësuar aktin dinjitoz të ish-Kryeministrit Haradinaj, kreu i shtetit shqiptar e cilësoi atë hero të luftës dhe të paqes dhe njëkohësisht vuri në dukje pjekurinë e klasës politike kosovare. Presidenti Moisiu tha se "politika dhe gjithë spektri politik shqiptar janë në një zë për të ardhmen e Kosovës dhe ritheksoi qëndrimin e tij se për fatin e Kosovës do të vendosin qytetarët e saj, shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë, ashkali, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar; zgjidhja përfundimtare e kësaj çështjeje do të qetësonte jo vetëm Kosovën, por të gjithë rajonin". Ndërsa kryedemokrati në fjalën e tij tha se "Kosova është një shtet mik me vendet e rajonit me një partneritet të ngushtë dhe të gjithanshëm. Shpreh bindjen se qeveria e Kosovës me në krye Kosumin, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, do t'i japë zgjidhje statusit të Kosovës në përputhje me vullnetin e qytetarëve të saj për të vetëvendosur". Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pasi i përsëriti Kosumit urimet më të mira për detyrën e tij shumë të rëndësishme në drejtimin e qeverisë së Kosovës, shprehu bindjen se e ardhmja e Kosovës është tashmë e përcaktuar, si një pjesë e komunitetit të vendeve evropiane. Meta nënvizoi se është mjaft e rëndësishme që partitë politike në Kosovë të harmonizojnë qëndrimet mbi problemet madhore të vendit. Ai u shpreh i mendimit se edhe në këtë fazë të zhvillimeve në Kosovë mbetet i rëndësishëm bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar. Meta theksoi se LSI po ndjek me vëmendje çdo zhvillim të politikës në Kosovë dhe siguroi Kryeministrin Kosumi për gatishmërinë e LSI-së për të bashkëpunuar me qeverinë dhe me faktorët politikë të Kosovës në të mirë të zhvillimeve pozitive në Kosovë. Ndërsa, nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, shprehur mirënjohjen për pritjen e rezervuar si dhe mbështetjen që i është dhënë çështjes së Kosovës. Ai vuri në dukje faktin se përparësi në programin e Kosovës kanë përmbushja e standardeve të kërkuara nga komuniteti ndërkombëtar, por mjaft të domosdoshme për vetë vendin, zhvillimi i ekonomisë dhe fillimi i bisedimeve për statusin final. Kosumi shprehu besimin që nga mesi i vitit të ardhshëm do të finalizohet statusi përfundimtar i Kosovës. Ai tha se qeveria që ai drejton po punon për të krijuar kushtet që qytetarët e saj të ndjehen njësoj dhe të jetojnë të qetë në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›