E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhia, një portier shqiptar për Çelsin

 

Albi Haxhia, talenti 16-vjeçar që stërvitet te klubi i Çelsit është një tjetër portier shqiptar që i shtohet listës së pretendentëve për të zënë një vend në Kombëtaren shqiptare në të ardhmen. Shumë të rinj të talentuar po “fërkojnë duart” tani që gardiani i përfaqësueses kuqezi, Arjan Beqaj, është futur në moshën kur edhe mund të mendojë për tërheqjen. Por, zëvendësuesi i 33-vjeçarit Beqaj në portën shqiptare mund të vijë nga Anglia. Një nga gardianët që skuadra e madhe angleze, Çelsi, po stërvit për të ardhmen është edhe shqiptari Aldi Haxhia. Ai është vetëm 16 vjeç, por falë talentit dhe konstruktit të tij, bën pjesë në grupmoshën U-18 të skuadrës londineze, natyrisht si zëvendësportier. Megjithatë, jo rrallë i është dhënë rasti të tregojë vlerat e tij. Sezonin e kaluar ai zhvilloi dy ndeshje, një prej tyre si titullar. Talentin e shqiptarit e kanë zbuluar agjentët e skuadrës së Çelsit shumë herët, në fillim të viteve 2000. Ai është pjesë e klubit nga “Stamford Bridge”, prej pesë vitesh. Ka nisur të stërvitet me grupmoshën U-12 dhe tani ka arritur në U-18. Haxhia vlerësohet si një portier me të ardhme të madhe. Kështu të paktën shkruhet në faqen zyrtare të klubit Çelsit. “Aldi është një pritës shumë i mirë dhe me instinkte të shkëlqyera. Ai i ndal goditjet e kundërshtarëve mjaft mirë. Është një portier mjaft i talentuar. Haxhia është te Çelsi që nga U-12 dhe ka ecur nëpër kategori më shpejt se mosha e tij. Talenti shqiptar ka debutuar me skuadrën e të rinjve sezonin e kaluar dhe ka zhvilluar deri tani dy ndeshje. Është një portier me të ardhme”, thuhet në uebsajtin zyrtare të Çelsit. Haxhia ka emigruar në Angli me familjen në moshë shumë të re. Ka lindur në Durrës. Ai i ka vazhduar studimet në shkollën e mesme “Barnhill Community High” në Londër. Haxhia është lojtari i tretë që aktivizohet në akademitë e skuadrave të Premier Ligës. Në Akademinë e Liverpulit aktivizohet mesfushori kosovar Astrit Ajdareviç, ndërsa në atë të Totenhemit kosovari tjetër, Ajet Shehu. Ajdareviç është ndër më të mirët në ekipin e të rinjve të Liverpulit. Madje, gjatë kësaj vere ai ishte në kërkim të një skuadre ku do të luante në ekipin e parë. Ishte shumë pranë kalimit në Shtutgarti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›