E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyten dy vetë në Bistricë,policia: rrëshqitën në ujë

Dy të rinj janë mbytur në ujërat e Bistricës dy ditët e fundit. Mbrëmjen e së enjtes një 24-vjeçar u zbulua i pajetë në lumin buzë rrugës nacionale Gjirokastër-Sarandë, ndërsa trupi i një 17-vjeçari nuk është gjendur ende. 

SARANDE / SHPRESA DINE

Një mjet austriak që pastronte kanalin ku kalon lumi i Bistricës, buzë rrugës nacionale Gjirokastër-Sarandë ka hasur në orët e vona të mbrëmjes në një trup të pajetë. Ai ndodhej pikërisht 2 metra larg murit të digës së lumit Bistrica, në fshatin Mesopotam të rrethit të Delvinës dhe dyshohet të ishte mbytur dy ditë më parë. Shoferi i mjetit ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje, bashkë me ambulancën për ta transportuar viktimën drejt morgut të spitalit "Petro Nako" të Sarandës. Vetëm në orët e mbrëmjes viktima është identifikuar nga i vëllai. Ai quhet Agim Zeka, 24 vjeç, lindur në Kashisht të Tepelenës dhe banor i Vllahatit. Nga dëshmia e dhënë, i riu ishte nisur për të punuar në një shtëpi pranë lumit mëngjesin e së shtunës. Në kthim dyshohet se i ka rrëshqitur këmba, duke përfunduar në ujë. Gjatë gjithë ditës së djeshme, policia nuk kishte identifikuar ende viktimën, duke publikuar të dhënat e tij, derisa familjarë të tij u paraqitën në morg.
Sapo u identifikua 24-vjeçari, një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në rrethin e Delvinës pasditen e së dielës. Në vendin e quajtur, "kaskada e lumit të Delvinës", në afërsi të fshatit Shelegar, rreth 7 km larg nga Saranda, është mbytur aksidentalisht 17-vjeçari Leonard Gjata, banues në fshatin Gjashtë. Sipas policisë, viktima, i shoqëruar nga daja i tij kishte dalë për peshk, por papritur i ka rrëshqitur këmba duke përfunduar në ujë. Shiu që ka rënë mesditën e djeshme e kishte turbulluar keqas ujin. Kjo ka bërë që trupi i 17-vjeçarit të humbasë dhe të mos pikaset nga vullnetarët që donin ta shpëtonin. Më pas, në vend kanë mbërritur dhe forca të policisë e polumbarë, por pa arritur të gjejnë viktimën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›