E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca, 90 studiues mblidhen në Sarandë

 

Rreth 90 profesorë dhe studiues të njohur nga 25 vende të botës zgjodhën këtë vit Sarandën për konferencën e tyre të përvitshme 11-ditore, organizuar nga Universiteti Evropian i Tiranës në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës dhe një rrjet i gjerë ndërkombëtar universitetesh botërore. Kjo konferencë, e para e këtij lloji dhe e këtyre përmasave në Shqipëri, u organizua në trajtën e një kombinimi mes prezantimit të rezultateve të fundit të kërkimeve bashkëkohore në shkencat sociale, si dhe diskutimit dhe debatimit të tyre në formatin e tryezave të rrumbullakëta.
Tema e sivjetshme, “Përdorimi i normës: dija, shoqëria, politika”, u trajtua e zbërthyer sipas pikëpamjeve të studiuesve të fushave të ndryshme: filozofia, shkencat politike, drejtësia, psikologjia, psikanaliza, etj. Prezantimet trajtuan çështje si: karakteri kontekstual i krijimit dhe zbatimit të normës, prirjet e mitizimit ngurtësues të normës nga shoqëria ose institucionet politike, debatet mbi burimet e legjitimitetit të normës etj.
Dr.Ermal Hasimja, drejtor i sivjetshëm i konferencës në cilësinë e përfaqësuesit të Universitetit Evropian të Tiranës, shprehet se rëndësia e kësaj veprimtarie është e disafishtë: “Së pari, duhet thënë se kjo është hera e parë që diçka e tillë organizohet në Shqipëri. Zakonisht studiuesit tanë e gjejnë pikëtakimin me arritjet bashkëkohore të shkencës duke shkuar në Perëndim, por kësaj radhe ne e sollëm Perëndimin me sukses në Shqipëri. Së dyti, kjo veprimtari shërben si një sprovë e studiuesve shqiptarë. Së treti, për Universitetin Evropian, kjo përbën një arritje të madhe në fushën e kërkimit dhe një precedent të rëndësishëm të kombinimit të aspektit pedagogjik me kërkimin shkencor, sipas standardeve evropianë që ne synojnë”.
Por kjo veprimtari paraqet edhe një aspekt tjetër interesant. Ajo ilustroi mundësinë e bashkëpunimit të suksesshëm mes një universiteti privat dhe një universiteti publik, përkatësisht Universitetit Evropian dhe Universitetit të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›