E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta, PS-PD ndryshojnë nenin 68 për partitë e vogla

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partitë e vogla mund të paraqesin kandidatët për deputetë me lista jo vetëm në një zonë zgjedhore, por në disa zona njëherësh.

Partitë e vogla përfitojnë nga ndryshimet e fundit kushtetuese për sa i përket konkurrimit në zgjedhje me sistem proporcional rajonal. Në momentet e fundit para votimit të nenit diskriminues për partitë e vogla, me numër 68, demokratët dhe socialistët kanë bërë një ndryshim, ku i jep më tepër hapësirë të vegjëlve. Nëse në variantin e parë të paraqitur nga PD-ja për këtë nen lejohet paraqitja e kandidatëve vetëm për një zonë zgjedhore, në variantin final të votuar një kandidat për deputet të një partie mund të përfshihet në disa zona zgjedhore. Deputeti i PD-së, Dashnor Sulaj, tha dje për “Panorama”, se një ndryshim i tillë është bërë për t’i krijuar mundësi partive të vogla parlamentare që të përfshihen në disa lista të zonave zgjedhore. Varianti i parë i nenit 68, pika 1, kërkonte që: “...Një kandidat mund të paraqitet vetëm në një zonë zgjedhore dhe vetëm për një nga subjektet propozuese sipas kësaj pike”. Ndërsa në variantin final tashmë të votuar është vendosur që: “Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese sipas kësaj pike”. Pikërisht PD-ja dhe PS-ja kanë vendosur të heqin shprehjen “Vetëm në një zonë zgjedhore”, duke i dhënë mundësi partive të vogla të paraqesin emrat e tyre të kandidatëve për deputetë në të gjitha zonat zgjedhore. Kështu një kryetar partie mund të paraqitet në listat e dy apo tre zonave zgjedhore, duke mos u penguar deri më tani nga Kushtetuta. Ndërsa kjo nuk mund të ndalojë që këta kryetarë partie të përfshihen dhe në listat e partive të mëdha. Kjo vetëm në një listë të subjektit politik, e jo të partisë që ato përfaqësojnë.                             b.h

neni 68

Varianti i parë
1.Një kandidat mund të paraqitet vetëm në një zonë  zgjedhore dhe vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumë emërore  nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. 

Varianti final
1. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumë emërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›