E Diel, 1 Nëntor 2026

Të burgosurit: Do vetëdigjemi nëse s’takojmë dy ministrat

Rreth 30 të burgosur të Burrelit kërcënojnë me vetësakrifikim, nëse nuk do të takohen me ministrin e Drejtësisë.

BURREL/ ENVER DOÇI

Kushtet e vështira dhe dhuna e gardianëve, sipas tyre janë shkaqet që i detyrojnë të hyjnë në grevë, duke refuzuar ushqimin. Në emër të të dënuarve, Ylli Kasmi ka vënë në dijeni drejtorinë e Burgut të Sigurisë së Lartë Burrel se, ata kanë nisur një protestë, duke kërkuar zbardhjen e dhunimit të bashkëvuajtësit të tyre, Emiliano Reçi dhe krijimin e mundësisë për të takuar ministrin e Drejtësisë, Alibeaj dhe atë të Brendshëm, Nishani. Autoritetet vendore të burgut kanë sqaruar protestuesit se, nuk është kompetencë e tyre krijimi i mundësisë për t’u takuar me ministrat Nishani e Alibeaj. “Përsa i përket dhunimit të një të dënuari, drejtues të Burgut kanë sqaruar të dënuarit e përfshirë në protestë se Emiliano Reçi është ndëshkuar nga punonjësit e policisë, pasi ai ka tentuar të godasë me petrogaz në kokë njërin nga gardianët që po ushtronte kontroll në qelitë e burgut, për të hequr prej andej sendet e ndaluara”. Reçi është transferuar vetëm pak ditë pas arratisjes së dy të dënuarve nga burgu i Burrelit për në burgun e Tepelenës, mirëpo bashkëvuajtësit janë shprehur se mund të bëhen dhe ata pre e dhunës nga Policia e Burgut. Të dënuarit kanë mbyllur nga brenda dyert me mjete rrethanore, duke penguar forcat e sigurisë së brendshme të ndalin protestën. “Nuk na lejojnë të kontaktojmë direkt me protestuesit dhe as të ushtrojmë detyrat tona funksionale në kësi rastesh”, pohuan autoritete të burgut të Sigurisë së Lartë Burrel. Për orë të tëra nuk kanë munguar thirrjet, britmat dhe fyerjet e të dënuarve drejtuar strukturave shtetërore, sidomos Ministrisë së Drejtësisë. “Do të digjemi të gjallë në burg”, kanë deklaruar të dënuarit e përfshirë në këtë protestë të veçantë. Drejtoria e Burgut të Burrelit ka informuar me urgjencë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme dhe kanë kërkuar forca për të ndaluar agravimin e mëtejshëm të situatës. “Ka qenë e pamundur të ndalonim protestën e të burgosurve, - sqaruan zyrtarë të burgut. Protestuesit nuk na lejojnë të ndërhyjmë apo të bashkëbisedojmë me ta. Ata janë shumë agresivë dhe në çdo moment paraqitën të rrezikshëm për punonjësit e policisë dhe për njëri-tjetrin”.
Mbyllja e dyerve nga brenda dhe presionet e vazhdueshme se do të flijohen nëse nuk zgjidhen kërkesat e tyre ka mbipopulluar mbrëmë mjediset e brendshme dhe të jashtme të burgut të sigurisë së lartë. Ndërkohë, thuhet se prokurorë të Burrelit kanë vlerësuar maksimalisht ankesën e drejtorisë së burgut dhe kanë nisur hetimet rreth shkaqeve, që çuan në protestën e afro 30 të dënuarve.

Zyrtarët e burgut, sot në Gjykatën e Apelit
Të arrestuarit për arratisjen e dy të dënuarve përjetë më 5 prill në burgun e Burrelit do të përballen paraditen e sotme me masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Masat e sigurisë së tyre, përfshi edhe ish-drejtorin dhe funksionarët e lartë të policisë së burgut tashmë të prangosur dhe që kërkojnë lirimin, do të shqyrtohen në seanca të veçanta, të cilat do të fillojnë në orën 09:00 të mëngjesit.

Policia: Shpërblimpër arratisjen

BURREL - “Kapëm në kohë rekord dy të arratisurit, na takon shpërblim”. Kështu shprehen 30 punonjës të policisë së Burrelit. Më 5 prill të këtij viti, pas një aksioni të mirorganizuar policia e këtij rrethi mundi të rikthejë në qeli, brenda pak minutash të arratisurit Fran Marashi e Preng Lleshi. “Jemi treguar mjaft të aftë në riarrestimin e dy të dënuarve me burgim të përjetshëm, të cilët përbënin rrezik për qytetarët”, thonë punonjësit e policisë që morën pjesë në aksionin për kapjen e Lleshit dhe Marashit, brenda 30 minutash nga arratisja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›