E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabiten 2 shkolla 9-vjeçare, shpallen në kërkim 3 nxënës



DURRËS – Zbardhet vjedhja e dy shkollave 9-vjeçare, “Bajram Curri 1” dhe “Bajram Curri 2” në Durrës dhe shpallen në kërkim 3 nxënës si autorë të vjedhjes. Pas ngjarjeve të ndodhura në gjimnazin “Gjergj Kastrioti” dhe në shkollën “Hidër Koka” në Xhafëzotaj, një tjetër shkollë ka rënë “viktimë” e fëmijëve që mësojnë në mjediset e saj. Burimet zyrtare të Policisë së Durrësit bëjnë të ditur se më 15 qershor, rreth orës 10:00 janë grabitur mjediset e brendshme të shkollës “Bajram Curri”, e cila ndodhet në sektorin “Hekurudha”, në Lagjen 13 të qytetit bregdetar. Menjëherë pas denoncimit të grabitjes nisi puna për zbardhjen e saj, ku policia identifikoi si autorë nxënësit e kësaj shkolle; A. Th., F. G. dhe E. A., që të tre banues në zonën e quajtur “Hekurudha”, në afërsi të Shkozetit, të cilët janë shpallur në kërkim.
Ngjarja
Duke përfituar nga fakti se prej pak ditësh ka përfunduar viti shkollor dhe se ditën e diel nuk ka personel pedagogjik, tre nxënës të shkollës “Bajram Curri” kanë hyrë në mjediset e saj duke vjedhur disa pajisje dhe shkatërruar materiale të ndryshme shkollore. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se dy ditë më parë u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: A. Th., 15 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 13, i cili sapo ka përfunduar shkollën 9-vjeçare “B. Curri 1”; F. G., 15 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Lagjen Nr. 13 dhe E. A., 14 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në Lagjen Nr. 13. 14-vjeçari E. A. ka përfunduar studimet në shkollën 9-vjeçare “B. Curri 2”. “Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë për arsye se si rezultat i punës hetimore të kryer nga Seksioni Kundër Krimeve Ndaj Pronës Durrës, dyshohet se më datë 15.06.2008, rreth orës 10:00, në Lagjen Nr. 13 në qytetin e Durrësit, në sektorin “Hekurudha”, kanë vjedhur me thyerje shkollat 9-vjeçare ‘Bajram Curri 1’ dhe ‘Bajram Curri 2’”, - thuhet në njoftimin e policisë. Sipas zëdhënëses Ornela Cako, tre ish-nxënësit kanë marrë dy kompjuterë dhe kanë shkatërruar materiale të ndryshme shkollore. Burimet e policisë vendore bëjnë të ditur se pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet procedurale për veprën penale të “vjedhjes në bashkëpunim” iu kaluan për ndjekje prokurorisë. Për shkak të moshës së tyre, hetimet do të zhvillohen në gjendje të lirë për tre ish-nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Rastet
Grabitja e dy shkollave 9-vjeçare në Durrës shënon rastin e tretë brenda më pak se një muaji. Para pak kohësh iu vu zjarri sallës së personelit pedagogjik të gjimnazit “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Për pasojë, u dogjën regjistra dhe dokumente shkollore. Hetimet e bëra nxorën në pah faktin e ishte një zjarrvënie e qëllimshme. Policia dyshon se autorët e kësaj ngjarjeje mund të jenë gjimnazistë. Para dy javësh tre të rinj i vunë flakën në mesnatë shkollës 9-vjeçare “Hidër Koka” në lagjen “Nerjaku” të komunës Xhafëzotaj. Pas më pak se 24 orësh, policia identifikoi dhe shoqëroi autorët, tre nxënës të kësaj shkolle, të cilët pohuan se e ndërmorën këtë veprim pas një konflikti me mësuesit.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›