E Shtunë, 31 Tetor 2026

Niazi Jaho: “Gërdeci”, pasojat nga moszbatimi i ligjit”



Konstitucionalisti Niazi Jaho është shprehur pak kohë më parë në një intervistë për gazetën “Albania” për përgjegjësitë që kanë institucionet në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Sipas Jahos, tragjedia nuk mund të kishte ndodhur nëse gjithkush përmbushte detyrat kushtetuese, apo po të ishte krijuar Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve. Pas miratimit nga Kuvendi të Strategjisë Ushtarake të vendit tonë, qeveria, kryeministri, ministri i Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë kanë detyra të përcaktuara në lidhje me zbatimin e saj. “Në muajin dhjetor 2007, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë. Në këtë ligj thuhet se Këshilli i Ministrave, si organi më i lartë i pushtetit ekzekutiv përgjigjet për zbatimin e strategjive të sigurimit kombëtar dhe gjendjen e zhvillimin e instrumenteve të sigurisë dhe të burimeve të mbrojtjes. Kryeministri, i cili është funksionari më i lartë i pushtetit ekzekutiv, përgjigjet para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e Forcave të Armatosura në kohë paqeje. Përmbajtja e kësaj dispozite është në përputhje me nenin 169 të Kushtetutës, ku thuhet se Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes. Përsa i përket ministrit të Mbrojtjes, sipas ligjit, ai përgjigjet para Kuvendit, Presidentit të Republikës dhe kryeministrit për formulimin dhe zbatimin e politikave të mbrojtjes. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, thuhet në ligjin e mësipërm, është autoriteti ushtarak më i lartë. Ai është përgjegjës para Presidentit të Republikës, kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes për zbatimin e strategjisë ushtarake”.

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›