Grabiten 2800 euro nga agjencia turistike në Tiranë, në kërkim autorët
Grabitja me thyerje, tek “Hemus Air”
Ngjarja, gjatë orëve të vona të natës
Janë befasuar teksa kanë parë që gjërat e lëna që një natë më parë nuk ishin në vend, ndërsa nga arka mungonin plot 2800 euro. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të natës, duke u gdhirë dita e djeshme, kur persona ende të paidentifikuar kanë grabitur nga zyrat e agjencisë turistike “Hemus Air” në fillim të rrugës së Durrësit në kryeqytet, një sasi prej 2800 eurosh. Gjithçka është diktuar vetëm në mëngjes, kur punonjëset e agjencisë turistike kanë lajmëruar pronarin dhe më pas policinë. Në vendngjarje, punonjësit e kësaj të fundit kanë filluar menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes si dhe identifikimin e autorëve të saj.
Në pyetje janë marrë fillimisht punonjësit e agjencisë, si dhe disa persona të dyshuar janë shoqëruar në komisariat. Nga të dhëna të saj një ditë më parë dyshohet se bëhet fjalë për më shumë se një person, që në mënyrë të organizuar, kanë hyrë në zyrat e agjencisë “Hemus Air”, duke marrë prej andej shumën e parave. Po kështu, policia ka konkluduar se bëhet fjalë për një grabitje me thyerje, ku më pas autorët kanë depërtuar deri në ambientet e brendshme të saj.
Askush nuk ka mundur të identifikojë apo të shohë atë që po ndodhte në fillim të rrugës së Durrësit gjatë orëve të natës së shkuar. Megjithatë, sipas policisë, autorët mendohet që kanë dalë në një nga rrugicat e zonës, ku edhe janë zhdukur më pas.
E gjithë grabitja ka ndodhur në qetësi të plotë, pasi nga marrja në pyetje e policisë edhe të banorëve më të afërt të lagjes, askush nuk ka dëgjuar asnjë zhurmë që do t’u kishte tërhequr vëmendjen, derisa, gjithçka është mësuar në mëngjes kur punonjëset kanë parë thyerjen dhe kanë lajmëruar pronarin e agjencisë.
Ky i fundit, nuk ka vonuar të vërë në dijeni policinë, e cila nga ana e saj ka filluar hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Sipas të dhënave të saj, një ditë më parë, nuk dihet me saktësi nëse kanë qenë një, dy apo më shumë bashkëpunëtorë në grabitjen e djeshme të ndodhur në agjencinë turistike “Hemus Air” në kryeqytet, por ekspertët e policisë kanë mbledhur dëshmi të shumta nga punonjësit e kësaj zyre si dhe banorë të tjerë. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme kontrolle të shumta janë kryer në banesat e disa persona të dyshuar për ngjarjen ku mendohej se mund të ishin fshehur, ndërsa nga ana tjetër, burime nga policia kanë thënë se po punohet dhe për identifikim e ndonjë bashkëpunëtori të mundshëm. Megjithatë, deri në orët e vona të mbrëmjes, nga policia nuk është konfirmuar asnjë arrestim.
////////////
Në Tiranë
Arrestohet autori i vrasjes së Bujar Haksanit në 98-ën
Dhjetë vjetë shpallur në kërkim ndërkombëtar për një vrasje të kryer në vitin 1998, Petrit Azemi, 29 vjeç nga Tirana, nuk i ka shpëtuar një ditë më parë operacionit të policisë së kryeqytetit. Lajmi është bërë i ditur nga të dhëna zyrtare të kësaj policie, sipas së cilës, kanë qenë specialistët e sektorit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit të cilët realizuan me sukses kapjen e të shumëkërkuarit për vrasje, Azemi.
Sipas policisë, ndaj tij, gjykata me një vendim të datës 19 dhjetor të vitit 2002 e ka dënuar me 14 vjet heqje lirie, pasi akuzohet për vrasjen e Bujar Haksanit, ngjarje kjo e ndodhur për motive të dobëta, më datë 16 prill të vitit 1998, të afërsi të rrugës së Elbasanit në Tiranë. Ndërkohë, mësohet se i kërkuari akuzohet për konsumim të veprave penale të “Vrasjes me dashje” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake e municioneve”.
Po kështu, policia tha se 29-vjeçari Petrit Azemi u kap përgjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, falë një pune profesionale disa mujore të mbajtur nën vëzhgim nga specialistët e këtij sektori, duke mundësuar lokalizimin e tij në Laprakë në afërsi të Spitalit Ushtarak Tiranë. Për të, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Tiranës, për t’iu dorëzuar Drejtorisë së Burgjeve, mbi dërgimin e tij në vendin e vuajtjes së dënimit.
Në Durrës
Arrestohet Saimir Brahimi, akuzohet për vënie tritoli në një dyqan në Krujë
Dy ditë pas vënies së një sasie lënde eksplozive në një dyqan në vendin e quajtur Qafë-Shtamë në Krujë, policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë autorin e ngjarjes. Saimir Brahimi, 20 vjeç nga fshati Cudhi Krujë, është vënë në pranga dy ditë më parë nga shërbimet e komisariatit të policisë së Krujës në sajë të një pune hetimore voluminoze nën drejtimin edhe të prokurorisë së këtij qyteti. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Durrësit, Ornela Cako, ku nëpërmjet një njoftimi për shtyp ka bërë me dije se si rezultat i punës së kryer, rezultoi se i dyshuar për kryerjen e saj është 20-vjeçari Brahimi. Sipas hetimeve të policisë, ka rezultuar se dy ditë më parë në orën 21:30, Brahimi dyshohet se në vendin e quajtur Qafë-Shtamë në Krujë, pikërisht në lokalin në pronësi të L.B., 50 vjeç, banues në fshatin Cudhi Krujë, ka vendosur një sasi lëndë plasëse duke shkaktuar dëme materiale. Sipas policisë, ngjarja ka pasur motive pronësie e ato të konkurrencës, pasi lidhet me pronësinë e ish-Kampit të Punëtorëve të Qafë-Shtamës, midis bashkëpronarëve të së cilit bëjnë pjesë edhe pala e dëmtuar dhe ajo e akuzuar. Ndërkohë, mësohet se policia po vazhdon punën edhe për dokumentimin e ngjarjeve të tjera të kësaj kategorie, ndërkohë që materialet procedurale i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Krujë.
Tropojë
Pranga 4 të rinjve, vodhën e dogjën makinën e policit
Disa orë pas vjedhjes së automjetit të policisë në Tropojë, policia ka mundur ta gjejë, por se të djegur. Punonjësit e policisë kanë mundur të identifikojnë dhe prangosin autorët e grabitjes dhe të zjarrvënies së mjetit, pronë e Gëzim Bashës, me detyrë përgjegjës kuadri në policinë kufitare të Qafë Morinës. Lajmi është konfirmuar një ditë më parë nga burime të policisë lokale, sipas të cilave, Elton Kuca, Egzon Prengzi, Fatjon Selimi dhe Almadin Isufi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin rreth mesditës së të hënës, vodhën mjetin që ishte parkuar në afërsi të qendrës së Bajram Currit, ndërsa pronari i tij ishte ulur në një lokal aty pranë. Sipas hetimeve të policisë, pas ngjarjes autorët kanë udhëtuar me mjetin në drejtim të fshatit Llugaj, rreth 8 km larg qytetit të Bajram Currit, ku pësuan dhe një aksident. Pas kësaj, policia ka zbuluar se katër djemtë vendosën të digjnin mjetin e grabitur e dogjën atë për të fshehur gjurmët. Ndërkohë, policia që ishte vënë në ndjekje të të rinjve pas denoncimit që punonjësi i policisë kufitare kishte bërë, mundi t’i prangosë autorët e kësaj ngjarjeje rreth orës 18:00 të së hënës, ndërsa nga hetimet paraprake rezulton se ata ishin në gjendje të dehur në momentin e vjedhjes së makinës.
Durrës
Denoncon bashkëshortin për dhunë fizike dhe psikologjike
Nuk ka duruar më dhunën sistematike nga bashkëshorti i saj dhe për këtë arsye një 34-vjeçare nga Durrësi drejtohet në polici për të denoncuar rastin. E. Xh., banuese në lagjen nr. 2 të qytetit bregdetar, ka depozituar një kallëzim penal pranë Seksionit për Mbrojtjen e të Miturve e Dhunës në Familje për bashkëshortin e saj Artur Xh.,40 vjeç duke pretenduar se katër ditë më parë, por edhe më parë në mënyrë sistematike, është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti i saj. Ngjarja është bërë e ditur nga të dhëna të policisë lokale një ditë më parë sipas së cilës, nga ana e policisë u kryen veprimet e para hetimore; u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes dhe materialet në ngarkim të Artur Xh. i kaluan për ndjekje Gjykatës së Durrësit.
Nishani për zjarret
Të vëmë në gatishmëri të gjitha mjetet që kemi
Në mënyrë që të parapërgatitemi dhe të jemi gati për përballimin e situatave që mund të krijohen nga zjarret në pyje, ne duhet të rishikojmë e freskojmë planet e përgatitura, të vëmë në gatishmëri të gjitha mjetet e nevojshme si dhe të sensibilizojmë komunitetin për masat parandaluese, nevojën për angazhimin në mbrojtjen e pasurisë së përbashkët.
Këto kanë qenë disa nga rekomandimet e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani gjatë fjalës së tij një ditë më parë në Aktivin Kombëtar për Mbrojtjen e Pyjeve nga Zjarri. Duke folur për një nga fenomenet më shqetësuese në sezonin e verës, ministri Nishani ka thënë se “aktivi për zjarret në pyje që po zhvillojmë sot është një rast i mirë ku ne së bashku mund të shprehim mendimet tona për mësimet e nxjerra nga menaxhimi i situatave të krijuara nga zjarret në pyje verën e shkuar, të diskutojmë për mundësitë e përmirësimit të punëve, si dhe të marrim angazhime në mënyrë që të gjithë së bashku të punojmë për të parandaluar dhe përballuar situatat emergjente, që mund të krijohen nga zjarret në pyje gjatë kësaj vere”. Sipas tij, situata e krijuar verën e shkuar, si rezultat i zjarreve në pyje, ishte një situatë e pazakontë, e cila nuk kishte ndodhur 60 vjetët e fundit.