E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e mjekut Kastrati, një burgim të përjetshëm dhe 50 vjet burg



Dëshmia e ministrit Olldashi u konsiderua kyçe nga prokurorët, rrëzoi alibinë trevjeçare të vëllezërve Rexhaj

Një burgim i përjetshëm dhe 50 vjet burg për vrasjen e mjekut nga Hasi, Behar Kastrati. Kjo ishte kërkesa e dy prokurorëve të Krimeve të Rënda, Ardian Braho e Eugen Beci, të cilët për rreth një orë paraqitën dje 22 faqet e pretencës me akuzat, provat, dëshmitë që provonin fajësinë e tre të pandehurve, Qamil e Abedin Rexhaj, si dhe Ibrahim Gecit. Dënimi më i rëndë u dha për të pandehurin Qamil Rexhaj, i cili u cilësua si organizatori dhe ekzekutori i mjekut Kastrati, ndërsa për të pandehurit Abedin Rexhaj e Ibrahim Geci u kërkua nga 25 vjet burg për secilin, duke i konsideruar si bashkëpunëtorë në vrasje. Përveç kësaj mase dënimi, prokurorët kërkuan dënimin e tre të pandehurve edhe me 16 milionë lekë gjobë. Të pandehurit nuk kanë reaguar ndaj pretencës, ndërkohë që gjatë gjithë kohës kanë mohuar kategorikisht akuzën, me pretendimin se nuk kanë pasur asnjë arsye për të rrëmbyer dhe më pas vrarë mjekun Kastrati. Tre të pandehurit akuzohen në bashkëpunim për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e doktorit dhe njëkohësisht kryetar i PD-së në Has, Behar Kastratit, i cili u mor peng tre vite më parë. Kastrati u rrëmbye më 7 korrik të 2005-s dhe vetëm 40 ditë më pas u gjet trupi i tij i pajetë.

Ngjarja

Rrëmbimi i mjekut dhe njëkohësisht kreu i PD-së për Hasin, Behar Kastrati, ka ndodhur më datë 7 korrik 2005, në orët e vona të asaj nate. Zhdukja e tij para pallatit u denoncua nga vëllai i viktimës, ndërkohë që pas kërkimeve të shumta nga ana e policisë, pas 20 ditëve është gjetur në fshatin Kolsh trupi i pajetë i mjekut Kastrati. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u konstatua se kufoma ishte e lidhur me dy shtylla betoni nëpërmjet telave të shtyllës dhe një litari në qafë, trung dhe këmbë. Pas hetimeve intensive, dëshmive të të afërmeve dhe të njohurve të viktimës, u arrit të shkohej në gjurmët e autorëve të dyshuar, dy prej të cilëve kishin pasur një konflikt të mëparshëm me mjekun. Prokuroria zbardhi emrat e autorëve të dyshuar, falë edhe bashkëpunimit me të pandehurin e tretë, Ibrahim Geci, i cili ndryshoi thëniet më pas në gjykatë. U hodh dritë mbi dinamikën e ngjarjes, personat që kishin dijeni, motivet pse ishte kryer, ndonëse dy të pandehurit Rexhaj e mohuan kategorikisht autorësinë. Madje, qysh në momentin e arrestimit, vëllezërit Rexhaj hodhën një alibi, të cilën e konsideronin të fortë, se natën e ngjarjes kishin qenë me Sokol Olldashin. Por, pas dy vitesh, kjo alibi do t’u rrëzohej para syve, me dëshminë e Olldashit para togave të zeza.

Babi i viktimës: Qamili me kërcënoi në telefon

Në dëshminë e dhënë para togave të zeza, babai i viktimës ka dëshmuar se është kërcënuar në telefon nga Qamil Rexha. Faik Kastrati shpjegoi para gjykatës se nga fillimi i tetorit të vitit 2005 i është bërë një telefonatë kërcënuese në banesën e tij, ku i është thënë se pasi zhdukën djalin, pra Beharin, do të zhdukin dhe atë. Para gjykatës, dëshmitari Faik Kastrati shpjegoi se e njohu zërin e personit që e telefoni dhe sipas tij, ishte zëri i të pandehurit Qamil Rexhaj. Në dëshminë që dha para kësaj gjykate, në seancën e datës 26.12.2006, dëshmitari u shpreh se ishte i sigurt që në telefon ishte i pandehuri Qamil Rexha, pasi Faiku kishte dëgjuar dhe për konfliktin që kishte djali i tij, i ndjeri Behar Kastrati, me të pandehurin Qamil Rexha.

Olldashi, dëshmi kyçe për ngjarjen

Gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, prokurorët vlerësuan dëshminë kyçe, atë të dhënë nga ministri Sokol Olldashi, i cili rrëzoi alibinë e ngritur prej disa kohësh nga vëllezërit Qamil e Abedin Rexhaj. Sipas prokurorëve, si dëshmitar kyç të tyre për të provuar alibinë e të qenit të tyre në Katund të Ri natën e ngjarjes, të pandehurit thirrën shtetasin Sokol Olldashi për të dëshmuar para kësaj gjykate. Ky dëshmitar, sipas akuzës, para togave të zeza, në kundërshtim të plotë me atë ç’ka pretendonin dy të pandehurit, tregoi qartë se në datën 07.07.2005 nuk është takuar, parë, apo përshëndetur me dy të pandehurit. Madje, ky dëshmitar, sipas prokurorëve, shpjegoi se në zonën e Qerretit dhe Katundit të Ri nuk ka qenë fare në datën 07.07.2005, por në datën 09.07.2005, që siç u shpreh dhe dëshmitari, ishte fundjava e parë pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005. “Ky dëshmitar shpjegoi se është përshëndetur dhe takuar me të pandehurin Qamil Rexha vetëm 15 ditë pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, në një festë të organizuar me këtë rast në Shijak, Durrës”, - u shprehën prokurorët, duke shtuar: “Por, siç edhe doli gjatë këtij hetimi gjyqësor, alibia e të pandehurve që nuk kanë qenë fare në zonën e Kukësit dhe të Krumës që pas datës 02.07.2005, u rrëzua plotësisht përpara kësaj gjykate, po të kemi parasysh momentin e natës së datës 04.07.2005 duke u zbardhur data 05.07.2005, ku i pandehuri Qamil është parë nga disa punonjës policie në aksin rrugor Fushë Dukagjin –Shënmëri të rrugës Kukës–Tiranë”.

Pretenca për të pandehurit

Qamil Rexha, “burgim i përjetshëm” dhe 6 milionë lekë gjobë

Abedin Rexha, 25 vjet burg e 5 milionë lekë gjobë

Ibrahim Geci, 25 vjet burg e 5 milionë lekë gjobë

Akuza

“Rrëmbimi ose mbajtje peng e personit” në bashkëpunim, me pasojë vdekjen e një shtetasi

Pretenca

Akuzohet për vrasje, 24 vjet burg për Bardhyl Rustemin

Akuzohet për vrasjen e Lec Manjishtës në Shkodër, deklarohet fajtor dhe kërkohet dënimi i tij me 24 vjet burg. Kjo ka qenë kërkesa e prokurorit të çështjes për të pandehurin Bardhyl Rustemi (Bajri), i akuzuar për “vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim të shtetasit Lec Manjishta, ngjarje e ndodhur në qendër të Shkodrës. Ky i pandehur është dënuar njëherë nga Gjykata e Shkallës së Parë, por vendimi është prishur nga gjyqtarët e Shkallës së Dytë dhe Gjykata e Lartë, të cilët e kanë kthyer për rigjykim çështjen.

Vendimi

Pafajësi për Roshin e Hoxhën, dënim me kusht për Gostivarin

Gjykata e Tiranës ka shpallur të pafajshëm Artur Roshin e Çelo Hoxhën, të akuzuar për “falsifikim dokumentesh”, ndërkohë që dënuan me burgim dhe gjobë me kusht sekretarin e Përgjithshëm, Tomorr Gostivarin. Po të njëjtat masa ka kërkuar një seancë më parë edhe përfaqësuesi i akuzës. Tre shtetasit u akuzuan për falsifikim të firmës së të ndjerit Akile Rama, në kuadër të zgjedhjeve vendore të një viti më parë. Nga hetimi gjyqësor nuk rezultoi që Roshi e Hoxha të jenë implikuar në këtë falsifikim, duke iu dhënë atyre pafajësi.

KLD

Prezantohet kryetari i ri i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda

“Gjykata e Krimeve të Rënda është mekanizmi më efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve”, - ka thënë nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Ai ishte i pranishëm dje në ceremoninë e prezantimit të kreut të ri të kësaj gjykate, Dritan Hallunaj. Gjatë prezantimit, Spahiu tha se “i takon kësaj gjykate që të shkëpusë Shqipërinë nga harta e krimeve të rënda”. Sipas nënkryetarit të KLD-së, “kjo bëhet vetëm duke mos e mbajtur gjykatën peng të trafikut dhe të krimit të organizuar nëpërmjet shkëputjes së disa gjyqtarëve (pa përmendur emra konkretë) nga segmente të caktuara të krimit”. Më tej, Spahiu tha se “KLD tashmë ka dalë nga forma e njësive guerile, duke bërë emërime të fshehta të gjyqtarëve. Emërimet bëhen transparente”. Spahiu shtoi se “përzgjedhja e gjyqtarëve bëhet në bazë të profesionalizmit dhe faktit se sa e respektojnë ligjin në vendimet e tyre”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›