E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e foshnjës, gjykata dënon me gjobë mjeken pediatre

Për shkak të neglizhencës së saj, një foshnjë humbi jetën. Penalizimi i drejtësisë për mjeken pediatre Zhaneta Babliku ka qenë vetëm një gjobë. Një jetë e humbur nga bluzat e bardha baras me 150 mijë lekë. Ky ka qenë vendimi i dhënë dje nga Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë, e cila e ka shpallur fajtore mjeken pediatre Zhaneta Babliku për akuzën “mjekim të pakujdesshëm”, duke e dënuar atë vetëm me gjobë. Mjekja është akuzuar menjëherë pas vdekjes së foshnjës së tyre nga prindërit e 1-vjeçares. Dy vjet pas ngjarjes në Spitalin Pediatrik të Korçës, ku gjeti vdekjen foshnja 1-vjeçare K. Ll. nga fshati Sul i Devollit, organet e drejtësisë kanë siguruar prova të mjaftueshme për të gjetur fajësinë tek bluzat e bardha, ndërkohë që masa e dënimit mbetet vetëm në kuadrin e gjobës. Pas një maratone seancash në gjykatë, kanë qenë ekspertë të ndryshëm që janë thirrur për të dëshmuar për këtë rast, edhe pse nga ana e mjekëve pediatër, kolegë të së akuzuarës, mohohej se mund të konstatohej në kohë ekzistenca e një trupi të huaj dhe konkretisht një fasule që e kishte gëlltitur dhe që i mori jetën. Mjekja Zhaneta Babliku, sipas organit të drejtësisë, ka rezultuar fajtore për vdekjen e foshnjës 1-vjeçare K. Ll., pasi nga ana e ekspertizave mjeko-ligjore dhe specialistëve pediatër nga kryeqyteti që kanë dëshmuar në seancat gjyqësore, mund të ndërhynte në kohë për të shpëtuar foshnjën. Vajza pas autopsisë rezultoi se kishte vdekur nga një fasule në trake që ishte bërë shkak për asfiksinë e saj. Denoncimi për rastin e Keas së vogël u regjistrua në Prokurorinë e Korçës në vitin 2007 nga prindërit e foshnjës, të cilët akuzuan drejtpërdrejt mjeken dezhurn të asaj nate kur vdiq vajza e tyre, Zhaneta Babliku, si shkaktare. Familjarët e Keas së vogël kanë akuzuar edhe mjekët e tjerë të repartit të Pediatrisë, por në mënyrë të veçantë mjeken pediatre, e cila ishte edhe roje nate. Sipas tyre, një neglizhencë e mjekes apo edhe e mjekëve të tjerë ka çuar në vdekjen e vajzës së tyre të vogël. Arsyen e vdekjes e vulosi që natën e ngjarjes përfundimi i autopsisë. “Keona Llabani, vajza 1-vjeçare ka vdekur si pasojë e një fasuleje të mbetur në laring”. Ka qenë ky rezultati i autopsisë mjeko-ligjore të zhvilluar mbrëmjen e ditës së ngjarjes, menjëherë pas vdekjes së foshnjës njëvjeçare. Edhe pse ka pasur të ftohtë të marrë në mushkëri, dhe më tepër në mushkërinë e majtë, ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë se shkak ka qenë një fasule. Fillimisht, nga mjekët specialistë është kryer ekzaminimi i trupit dhe është vënë re se tek pjesa e fundit në laring ka pasur diçka të fortë, e cila pas çarjes së kësaj pjese nga mjekët, u konstatua se ka qenë një kokërr fasuleje.

Detaje

1 vjeçe ishte Keona Llabanji kur humbi jetën në Spitalin Pediatrik të Korçës, si pasojë e neglizhencës së mjekes dezhurn, Zhaneta Babliku

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›