E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenton të vrasë policët, ndalohet 24-vjeçari

Sokol Kola ishte dënuar tre herë më parë për vjedhje, për kanosje, armëmbajtje pa leje e prishje të qetësisë publike

Tre vjet më pare, i riu i rezistoi me armë policisë për rreth pesë orë duke qëlluar nga banesa e tij në Bushat

SHKODËR - Ka tentuar të mbushë armët dhe të qëllojë mbi policinë, ndërsa kjo kishte shkuar për kontroll për armë në banesën e tij, por veprimet e forcave të policisë kanë sjellë neutralizimin e tij. Sokol Kola, 24 vjeç, nga fshati Bushat ka tentuar t'i kundërpërgjigjet me armë efektivave të policisë që kanë qenë duke zhvilluar një operacion me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë.


Pas informacioneve të marra në rrugë operative, blutë kanë ushtruar kontroll në banesën e Sokol Kolës në Bushat, ku i është gjetur e sekuestruar një armë zjarri automatik me një krehër me 30 fishekë. Sipas policisë, Kola ka kundërshtuar veprimet dhe në një moment ka mbushur armën e zjarrit duke ua drejtuar atë policëve që ndodheshin në banesën e tij. Ndërhyrja e shpejtë e efektivave ka sjellë neutralizimin e veprimeve të Sokol Kolës që më pas është prangosur, pa shkaktuar viktima mes bluve.


Sokol Kola nuk është i panjohur për uniformat blu. Rreth 3 vjet më parë, më 16 qershor 2007, për rreth 5 orë ky shtetas terrorizoi banorët e Bushatit duke qëlluar me armë zjarri nga banesa e tij në lagjen "Dodaj". Në atë kohë ai ka nxjerrë jashtë familjarët dhe ka qëndruar brenda banesës duke qëlluar në rrugë dhe duke mos lënë që të afrohej njeri. Madje, Kola pati kërcënuar dhe me granata, njërën prej të cilave e pati hedhur të pandezur.


Banorët e tregonin për person me çrregullime mendore dhe kapja e tij u bë pas rreth 5 orësh rrethimi, ku policia kishte bllokuar dhe rrugët e fshatit që kalonin në rrezen e banesës ku ndodhej Sokol Kola. 21-vjeçari u prangos nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat me praninë edhe të një blindi mundën të afrohen dhe të ndërhyjnë tek banesa ku qëndronte i riu dhe ta neutralizonin atë.


Ndonëse i dënuar më parë dy herë për vjedhje, edhe pas kësaj ngjarjeje, ai është dënuar me 16 muaj burgim me akuzat e "kanosjes", "mbajtjes pa leje të armëve luftarake", "mbajtjes pa leje të municionit luftarak" dhe "prishjes së qetësisë publike".


Por dhe pasi ka dalë nga burgu, djali tashmë 24-vjeçar ka vazhduar të jetë problematik për komunitetin e zonës dhe paraditen e djeshme ka tentuar të qëllojë dhe mbi policinë. Ndonëse nga banorët thuhej se Sokol Kola kishte probleme mendore, nga ekzaminimet mjekësore nuk ka rezultuar kjo dhe ai ka rezultuar i përgjegjshëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›