Vret me sëpatë bashkëshorten, plagos vajzën e kunatin

DEVOLL/ Hekuran Demiraj ka përfunduar në pranga pasi qëlloi gruan e tij 60-vjeçare duke i shkaktuar asaj vdekjen
Burime nga vendngjarja bënë të ditur se gjithçka ka ndodhur në kohën që familja do ta çonte 65-vjeçarin në spital
DEVOLL- Një i sëmurë mendor ka masakruar me sopatë bashkëshorten, ndërsa ka lënë të plagosur vajzën e tij dhe një tjetër të afërm. Ngjarja e rëndë është regjistruar në fshatin Eçmenik të rrethit të Devollit pak pas mesditës së të mërkurës.
Ndërkaq, policia ka bërë të mundur brenda 30 minutash të kapë në tentativë për t'u larguar nga fshati autorin e ngjarjes. Krimi në familje i është kthyer sërish juglindjes, duke shkaktuar një të vdekur dhe dy të plagosur, ndërkohë që ngjarjet e rënda në rrethin e Devollit duket se janë duke u përsëritur shumë shpesh gjatë këtij viti. Pas krimit makabër të Vidohovës ku u ekzekutuan tre vëllezër, tashmë një i moshuar masakron me sopatë para fëmijëve gruan e vet.
Ngjarja
Duke iu referuar burimeve zyrare të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të së mërkurës. Shtetasi Hekuran Demiraj kohët e fundit ishte duke u kuruar për probleme në shëndetin mendor, ndërsa situata e tij nuk kishte pasur përmirësime.
Ka qenë kunati i tij, i cili ka shkuar në familjen e së motrës për ta ndihmuar këtë të fundit në transportin e Demirajt në spital për ndihmë më të specializuar mjekësore. Ndërkaq, bashkëshortja Barije Demiraj 60-vjeçare është përpjekur bashkë me të bijën 25 vjeçe t'i mbushë mendjen të shoqit që ta çonin për ta kuruar.
Ky i fundit nuk ka pranuar të kurohej duke pretenduar se nuk vuante nga asgjë, ndonëse mjekët thonin të kundërtën. Në këto kushte ai ka marrë një sopatë, madje dhe një levë hekuri dhe ka qëlluar fillimisht mbi kunatin.
Ai është përpjekur të largohet ndonëse ka mbetur i plagosur. Goditjet e sëpatës në zverk kanë qenë fatale për gruan e tij, e cila ka mbetur e vdekur në banesë. Ndërkaq, bija e tyre është përpjekur të shpëtojë nënën nga vdekja, por ka mbetur dhe vetë e plagosur. Autori i krimit pasi ka lënë të përgjakur shtëpinë e tij ku masakroi të shoqen, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, duke tentuar t'i fshihej uniformave blu.
Britmat e familjarëve të tij kanë alarmuar fqinjët, të cilët kanë kërkuar ndihmën e policisë së komisariatit të Devollit, duke mos ditur përmasat e krimit. Pas largimit të armatosur të autorit Hekuran Demiraj disa të afërm të familjes kanë ndërhyrë duke transportuar drejt spitalit rajonal të Korçës dy të plagosurit, ndërsa është konstatuar vdekja e bashkëshortes të këtij të fundit.
Policia ka nisur hetimet, ndërsa ka dy pista ku ka mbështetur punën e saj për zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje: atë të një të sëmuri mendor me rrezikshmëri të lartë shoqërore, por dhe të vrasjes pas një grindjeje të çastit për motive të dobëta. Autori i ngjarjes do t'i nënshtrohet një kontrolli mjekësor për të përcaktuar gjendjen psikike të tij, ndërsa është duke u punuar për të sqaruar çdo rrethanë të krimit.
Arrestimi
Hekuran Demiraj, 65 vjeç, është kapur nga policia lokale pas një operacioni në terren brenda 30 minutave. Pas marrjes së informacionit të duhur, policia ka arrestuar bashkë me armën kryesore të krimit të moshuarin i cili po tentonte të largohej nga fshati për të mos rënë në duart e policisë. Ai kishte dhe sopatën me të cilën ka realizuar masakrën mbi gruan, madje me shenja gjaku. Pas prangosjes ai ka pranuar që e ka goditur bashkëshorten, por nuk ka pasur informacion që ajo ka vdekur.