E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagoset trafikanti, policia e fsheh ngjarjen

Ngjarja Gjatë aksionit, njësia operacionale qëlloi mbi Gjin Markun

Gjatë operacionit “Jaguar” policia ka plagosur një prej trafikantëve. Gjin Marku ka marrë plagë, teksa një plumb i ka përshkuar tej për tej muskulin e krahut. Askush nuk ka folur për atë që ka ndodhur gjatë operacionit, por burime të rezervuara thanë se në tentativën e Markut për t’iu larguar prangave të operacionalëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ai është qëlluar nga këta të fundit. I është dhënë ndihma në spitalin e Fierit, por më pas trafikanti është sjellë në Tiranë, por nuk është pranuar të mbahet në dhomat e ndalimit këtu, pasi ka rezultuar i plagosur dhe askush nuk donte të merrte përsipër riskun e mbajtjes sekret të kësaj ngjarjeje. Ai është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe prej aty kanë ardhur për ta çuar drejt Fierit uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Qarkut. Kjo ngjarje nuk është raportuar nga njësia operacionale dhe madje për të nuk është mbajtur asnjë shënim. Mësohet se i dëmtuari do të ngrejë një padi për atë që i ka ndodhur e madje, ai do t’i dërgojë edhe një letër Avokatit të Popullit.

Operacioni “Jaguar” u krye dy ditë më parë në dalje të Fierit, ku u sekuestruan rreth 110 kg kanabis sativa, ndërkohë që në prangat e policisë ranë dy vëllezërit Gjin dhe Adrian Marku, përkatësisht 29 dhe 32 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kamzë, Tiranë. Ndalimi i tyre është bërë në rrugën nacionale Fier-Vlorë, në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës, me automjetin tip AUDI A3, me ngjyrë gri, me targa EN56BZD. Nga kontrolli i mjetit, në bagazhin e tij u gjet dhe u bllokua një sasi prej rreth 109.619 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›