Grevistët po përdoren si kavie
Partia Demokratike ka vijuar dje akuzat ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, në lidhje me grevën e urisë që kanë ndërmarrë prej gjashtë ditësh deputetë dhe simpatizantët e PS-së. Sipas zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli, Rama dhe drejtuesit e tjerë socialistë po i përdorin si kavie eksperimentale grevistët në grevë, ndonëse një pjesë e tyre vuajnë nga sëmundje të rënda. “Në burgun e urisë, sipas lajmeve që vijnë nga çadrat ka edhe individë të sëmurë me diabet sheqeri, me sëmundje veshkash, me sëmundje të rënda deri në epilepsi apo ulcera stomaku, sëmundje të cilat në kushtet ku Rama i ka burgosur ata kërcënojnë rëndë jetën e tyre”, theksoi Mëhilli. Ajo i bëri thirrje kryetarit të PS-së, të lejojnë urgjentisht autoritetet zyrtare shëndetësore të bëjnë kontrollin e gjendjes shëndetësore të grevistëve. Po kështu, Mëhilli thekson se PD ju rikujton drejtuesve të PS-së se këta njerëz në grevë janë viktima. Po dje, deputetja demokrate e Korçës, Lediana Alolli, deklaroi se në emër të nënave ajo i kërkonte Edi Ramës që të linte gratë të shkonin pranë fëmijëve të tyre dhe mos t’i ngujonte në një grevë urie.
#