E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali Nënë Tereza bën gati dhoma për grevistët

Stafi, laboratori dhe një pavijon gati posaçërisht

Një tjetër grevist ka mbërritur dje në pavijonet e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Demo Muhaj është shtruar fillimisht në pavijonin e Infektivit, ku ka marrë edhe ndihmën e parë mjekësore. Më pas, janë konstatuar probleme kardiologjike dhe ekipi mjekësor e ka transportuar atë në pavijonin e dytë të kardiologjisë. Aty ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, ka shoqëruar pacientin, për të parë ecurinë e tij shëndetësore.

“Aktualisht, gjendja e pacientit po vjen duke u përmirësuar falë ndihmës mjekësore që i është dhënë. Tashmë ai është jashtë rrezikut për jetën”, sqaroi Dashi. Kreu i “Nënë Terezës” ka lëshuar një urdhër të brendshëm, ku u kërkon të gjithë shefave të pavijoneve, të jenë në gjendje gatishmërie dhe çdo pavijon të rezervojë dy deri në tre shtretër për grevistët, duke u ofruar ndihmën maksimale mjekësore. Ndërkohë, në Spitalin Infektiv është krijuar një ambient i veçantë, ku do të priten të gjitha rastet, me shtretër ekzaminues dhe më pas hospitalizues. Të gjithë personat të cilët do të transportohen nga çadrat e grevës së urisë, drejt QSUT-së do të priten në këtë ambient për të marrë ndihmën e parë. Sipas urdhrit, departamenti i Laboratorit dhe Imazherisë duhet të marrin masat për t’iu përgjigjur çdo kërkese, për ekzaminime gjatë 24 orëve. Shërbimet e sëmundjeve të brendshme, shërbimet e kirurgjisë, shërbimi i mjekësisë interne dhe Shërbimi i Infektivit duhet të rezervojnë shtretër për çdo pavijon, në funksion të grevës. “Shefat e shërbimeve të sigurojnë urgjentisht prezencën e personelit shtesë, përfshirë mjekë, kryeinfermierë, infermierë. Qendra e koordinimit të urgjencave të marrë masat, për vënien në gatishmëri të autoambulancave”, thuhet në urdhër. Sipas udhëzimit të brendshëm të gjitha njësitë e farmacive duhet të qëndrojnë hapur dhe gati për furnizime emergjente. Sakaq, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje se vazhdon t’i ndjekë zhvillimet e grevës së organizuar nga Partia Socialiste. Duke e vlerësuar si një prioritet absolut shëndetin e grevistëve, ekipet mjekësore po vijojnë të jenë prezentë 24 orë në 24, jashtë mjediseve të grevës. Ministria e Shëndetësisë vë në dukje se dhënia e një kujdesi shëndetësor cilësor është e domosdoshme, si dhe përbën një detyrim ligjor ndaj dhe shpreh shqetësimin e saj për moslejimin e autoriteteve shëndetësore shtetërore, për të ofruar shërbim shëndetësor të kualifikuar brenda mjediseve të grevës. “Monitorimi i shëndetit të grevistëve është një detyrim i patjetërsueshëm, si dhe përbën një përgjegjësi ligjore, e cila duhet ushtruar në mënyrë profesionale ndaj dhe Ministria e Shëndetësisë konfirmon edhe njëherë gatishmërinë për ta përmbushur këtë përgjegjësi”, ka sqaruar dje zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›