E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrasjen e bëra unë, jo vëllai”



Fatos Mahmutaj

Valmir Hoxha, i forti i veriut, i cili njihet si “Vandami i burgjeve” apo “Bisha i Shkodrës” hyn në grevë urie në qeli. Shkak për grevën, sipas vetë atij është burgosja e të vëllait Gentian Hoxha me 21 vite burg për një krim në të cilin e ka kryer Valmiri me dy shokë të tij. I kontaktuar nga gazeta 35 vjeçari Hoxha pretendon se e ka nisur grevën e urisë për të sensibilizuar institucionet e drejtësisë që të rishikojnë dënimin e vëllait të tij Gentianit, i cili sipas tij gjatë kohës që është kryer krimi ka rezultuar të ishte emigrant në Greqi me dokumente të rregullta. Pas kësaj vëllai i tij ka emigruar në Spanjë ku është kapur për llogari të autoriteteve shqiptare të drejtësisë në bazë të urdhër-arrestit që ishte lëshuar pas dënimit të tij me 21 vite burg për tentativë vrasjeje për gjakmarrje. Pasi ka mbledhur të gjithë dokumentacionin e duhur në qeli, “Vandami i burgjeve”, ka vendosur të rrëfejë të vërtetën e krimit duke kërkuar që të komunikonte me funksionarë të lartë të hetimit. Kështu pak ditë më parë në qelinë e tij kanë mbërritur shefi i departamentit të hetimeve në Policinë e Shtetit dhe një funksionar i lartë i Policisë së Tiranës, të cilët kanë dëgjuar të gjitha pretendimet e tij si dhe kanë marrë nga ai dokumentet që u ka ofruar vetë i dënuari i përjetshëm. Pas kësaj këta janë kthyer në Tiranë, ndërsa dje kreu i hetimit i kontaktuar nga gazeta nëpërmjet telefonit pohoi se tashmë ka nisur verifikimi i thënieve të të dënuarit Hoxha dhe se pritet që të fillojnë hetimet në bazë të tyre. Po kështu ata pohojnë se po verifikojnë edhe personat, emrat e të cilëve i ka përmendur i dënuari Hoxha. Sipas vendimit të Gjykatës së Shkodrës që dënoi me 23 vjet burg Valmirin dhe 21 vjet vëllain e tij ngjarja ka ndodhur më 3 korrik 2001, rreth orës 18:00, në lagjen “Guerile” të Shkodrës, tek vendi i quajtur “Ish-Zooteknika”, kur është plagosur me armë zjarri Albert Kola. I pyetur nga policia vetë i dëmtuari Kola ka thënë se ndërsa po dilte nga shtëpia për të shkuar në punë, në një distancë rreth 10 metër nga banesa është qëlluar me armë zjarri automatike, fillimisht me qitje një nga një e me pas me breshëri, duke u plagosur në shpatullën dhe krahun e djathtë. Qitja është realizuar nga një distancë rreth 50 metër nga tre persona, prej të cilëve ai ka mundur të identifikojë vëllezërit Valmir e Gentian Hoxha ndërsa të tretin nuk ka arritur ta njohë. Kola ka shpjeguar në polici se motivi i krimit ka qenë fakti se familja e tij ishte në “gjak” me familjen Hoxha. Kjo pasi Valmiri i kishte vrarë atij të atin Ejll Kola dhe e ka plagosur atë vetë dhe vëllain Paulin Kola, në dhjetor të vitit 1999. Hasmëritë do të vazhdonin më tej pasi pak ditë më vonë, Paulini ka vrarë kushëririn e parë të Valmirit, Nedim Hoxha. Më pas në vitin 2003 Valimi u vu në pranga, ndërsa vëllai i tij, i shpallur në kërkim u kap në Spanjë dhe pas një viti burgosje atje u ekstradua në Shqipëri, ku aktualisht ndodhet në burgun e Shën-Kollit në Lezhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›