Krimi, policia e Durrësit nis aksionet blic për armë pa leje
DURRES - Policia e Durrësit nis masa drastike kundër armëmbajtjes pa leje. Disa krime të rënda me pasojë vdekje dhe plagosje të ndodhura në fillim të këtij viti në Durrës, kanë bërë që efektivat blu të fillojnë “krehjen” e atyre lokaleve, klientë të të cilave janë kryesisht persona të skeduar. Aksionet blic për armëmbajtje pa leje kanë nisur të bëhen nëpër salla bilardoje, qendrash lotarish sportive apo internet-kafe. Vetëm dje, 2 arrestime u bënë nga policia e Durrësit. I pari që ka rënë në dorën e uniformave blu ka qenë Gazmend çollaku, 28 vjeç, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje, (ngjarja e 2 marsit 2008 tek lokali Riviera, ku u plagos rëndë me pistoletë shtetasi K.B.) Policia ka rënë në gjurmët e tij pas një kontrolli rutinë në një internet-kafe të lagjes numër 9, në Durrës. Atij u gjet një pistoletë model 54 dhe 9 fishekë në karikator. I dyti i kapur është 43-vjeçari Mynyr Tahiraj, banor i lagjes 17 të Durrësit. Pas një kontrolli trupor atij iu gjet një pistoletë e tipit “Zastava” me 6 fishekë të kalibrit 7.65 mm, të cilën e mbante pa leje. “Mbajtja pa leje e armëve e municioneve luftarake, armëve të ftohta, armëve të gjuetisë e sportive përbëjnë vepra penale, për të cilat dënimi varijon nga gjobë deri në 15 vjet burg”, u shpreh zëdhënësja policisë, Ornela Cako në një komunikim me mediat. o.u